Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha dhe xhudistja Nora Gjakova janë sportistët më të mirë të zgjedhur për vitin 2017-të në konkurrencat e tyre respektive.
Të premten mbrëma në ambientet e hotelit “Emerald”, ku u mbajt edicioni i 19-të i Sportistit të Vitit, i organizuar nga Grupi “KOHA”, Berisha dhe Gjakova u dalluan më së shumti nga juria profesionale.
Dardan Berisha, e udhëhoqi Kosovën drejtë kualifikimit historik, për t’ia siguruar një vend në eliminatoret e Kupës së Botës “Kina 2019”, duke qenë edhe lider i Sigal Prishtinës në Basketball Champions League dhe FIBA Europe Cup.
Paraqitjet e tij të mira bënë që ai të nënshkruajë me klubin e madh çek, CEZ Nymbruk, me të cilin deri më tani ka pasur paraqitje të shkëlqyeshme si në elitën e basketbollit të Çekisë, ashtu edhe në Basketboll Champions League.
Krahas Berishës që vjen nga sporti i basketbollit, ishte edhe klubi i Sigal Prishtinës, ai i cili e fitoi çmimin e skuadrës më të mirë të vitit nga Grupi “KOHA”.