Përfaqësuesja U-18 e Kosovës në konkurrencën e femrave ka debutuar me humbje në gara të FIBA-s, pasi që të premten mbrëma është mposhtur nga Gjeorgjia me rezultat 65:49 (12:15, 24:5, 10:13, 19:16) në ditën e parë të Kampionatit Evropian, Divizioni C, që do të zhvillohet prej 8 deri më 13 korrik në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Në fakt në cerekun e parë ishin basketbollistet kosovare ato të cilat e kanë diktuar ritmin e lojës, të cilin arritën ta mbyllin me rezultat 15:12 në favor të tyre. Kur u mendua se vashat nga Kosova do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe në dhjetëminutëshin e dytë nuk ndodhi kështu, pasi në këtë pjesë të lojës ishin nikoqiret ato të cilat ia dolën ta paralizojnë lojën e kosovareve dhe në këtë mënyrë e fituan këtë cerek të lojës me shifrat 24:5. Kështu ekipet shkuan në pushim me rezultatin në semafor 36:20. Pra ishte kjo pjesë e ndeshjes, në të cilën u thyen lojtaret kosovare, të cilat në vazhdim të takimit ndonëse u munduan nuk ia dolën të rikthejnë ritmin dhe kështu u desh të pajtohen me disfatë qysh në start të kampionatit.
Më të dalluarat në radhët e Kosovës ishin Flaka Kelmendi me 18 pikë, 8 kërcime e 5 topa të vjedhur, Adea Kastrati me 14 pikë e 7 kërcime dhe Aulona Muhadri me 7 pikë e 16 kërcime.
Të shtunën Kosova do të ballafaqohet me Maltën, kurse të dielën do ta zhvilloj ndeshjen e tretë dhe të fundit të fazës së grupeve, ku do të përballet me Gjibraltarin.