Xhiroja e 27-të në Superligën e Kosovës në basketboll do të dhurojë ndeshje mjaft interesante.
Ndeshja e parë e kësaj jave do të zhvillohet ndërmjet Feronikelit dhe Bashkimit. Skuadra nga Drenasi ka pesë fitore dhe 18 humbje, derisa prizrenasit 14 fitore dhe nëntë humbje.
Takim shumë interesant pritet të shtunën mbrëma në kryeqytet në mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit. Prishtinasit kanë grumbulluar 40 pikë (17 fitore dhe 6 humbje), kurse therandasit 39 (16 fitore dhe 7 humbje), prandaj pritet një ndeshje shumë interesante.
Sfidë shumë interesante pritet të jetë edhe ajo që zhvillohet në ‘Karagaçi’, ku Peja e pret Rahovecin. Pejanët ndodhen në vendin e katërt me 37 pikë, kurse Vreshtarët kanë tri pikë më shumë dhe janë në krye së bashku me Prishtinën. Verdhezinjtë janë të motivuar, ku pasi fituan Kupën duan suksese edhe në Superligë, kurse rahovecasit tani të gjitha forcat i kanë përqendruar në elitë, pasi u larguan nga Liga Ballkanike.
Në përballjen e fundit do të takohen Lipjani i vendit të fundit (2 fitore dhe 21 humbje) dhe Trepça (6 fitore dhe 17 humbje). Mitrovicasit shpresojnë në fitore dhe do të bëjnë çmos për të siguruar dy pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë.
Të gjitha ndeshjet do të transmetohen në Art Motion.
Superliga - Java 27
E shtunë
17:00 Feronikeli - Bashkimi
19:00 Sigal Prishtina - Golden Eagle Ylli
E diel
17:00 Peja - Rahoveci
19:00 Lipjani – Trepça