Kryendeshja e xhiros së XIX në Superligën e Kosovës e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës ka përfunduar me fitore të nikoqirëve me rezultat 79:70 (19:18, 16:14, 24:21, 20:17).
Prej fillimit të ndeshjes e deri në fund është zhvilluar në lojë e barabartë, kur hera njëra e hera tjetra skuadër kalonte në epërsi, por që në dhjetëminutëshin e fundit ishte Bashkimi ai ekip që u tregua më i vëmendshëm dhe kështu në fund arriti t’i gëzoj rreth 1000 shikuesit e pranishëm në palestër.
Më të dalluarit te skuadra prizrenase ishin Justin Black me 23 pikë, 3 kërcime e 8 asistime, Kayel Locke me 17 pikë e 6 kërcime dhe Marko Popoviq me 13 pikë e 5 kërcime.
Te ekipi nga Mitrovica më efikasit ishin Jeremy Wise me 27 pikë, 8 kërcime e 4 asistime dhe Burim Zekiqi me 11 pikë e 3 asistime.
Fitore të shtunën ka regjistruar edhe Sigal Prishtina në ballafaqim me Golden Eagle Yllin me shifrat 89:62, derisa te premten Kerasan Prishtina ka triumfuar ndaj Vllaznimit me rezultat 88:87.
Ndërkaq e vetmja ndeshje që ka qenë në program ditën e diel ajo në mes Rahovecit dhe Pejës ka përfunduar me fitore të mysafirëve me shifrat 91:63.