Ponte Prizreni e ka mundur Bashkimin në derbin e qytetit me rezultat 81:77 (19:28, 19:15, 23:17, 20:17), në kuadër të javës së gjashtë të Prince Caffe Superligës.
Ndeshjen më mirë e nisi Bashkimi, duke fituar çerekun e parë 19:28. Por, perioda e dytë ishte më e barabartë, madje, Ponte u rikthye në lojë, duke qenë më e mirë dhe fitoi këtë pjesë 19:15, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 38:43.
Ponte vazhdoi të mirë edhe në periudhën e tretë duke e fituar 23:17, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 61:60. Drama vazhdoi edhe në 10 minutat e fundit. Ponte Prizreni kishte epërsi deri në 11 pikë, por në fund Musab Mala me dy trepikësha ngushton shifrat në 79:77. Më pas Urim Zenelaj realizon një nga dy gjuajtjet e lira, kurse Nikola Vukçeviq i Bashkimit nuk shënoi për tri pikë dhe në fund Ponte Prizreni fitoi 81:77.
Te Ponte Prizreni u dalluan Arti Hajdari me 28 pikë e gjashtë kërcime, Joshua Martin me 13 pikë e 17 kërcime, kurse te Bashkimi më të dalluarit ishin Shazville Carter me 16 pikë e nëntë kërcime, Nikola Vukçeviq me 24 pikë dhe Musab Mala me 18.
Ponte Prizreni ka tri fitore dhe tri humbje, kurse Bashkimi një fitore dhe pesë humbje.