Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës do të mbahet më 9 tetor, derisa kësaj radhe do të jetë ‘online’ për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.
Në këtë Asamble do të marrin pjesë edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, duke përfaqësuar Kosovën në këtë ngjarje shumë të rëndësishme.
Situata në lidhje me Covid-19, pritet të jetë një nga temat e diskutimit, që ka ndikuar në operacionet e basketbollit në Evropë, veçanërisht në një nivel ndërkombëtar.
Asambleja ishte dashur të zhvillohej në Lituani, megjithatë, do të mbahet në formë të videokonferencës.
Të gjitha detajet mbi Asamblenë e Përgjithshme do t'i komunikohen Federatave Kombëtare në kohën e duhur.
Ditë më parë, Bordi i FIBA Evropës mori vendime të rëndësishme në lidhje me datat e njoftimit të garave evropiane të klubeve 2020-21, si dhe organizatorët e Kampionateve Evropiane për grupmosha të reja për 2021. Një nga vendimet ishte që Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U16 të mbahet në Prishtinë, në vitin e ardhshëm.