Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Edicioni i rregullt, nën hijen e favoritëve

  • Edicioni i rregullt, nën hijen e favoritëve
17 Prill 2016

Qysh nga ndeshja e Superkupës së Kosovës, kur në fund të shtatorit të vitit të kaluar u ballafaquan Peja dhe Sigal Prishtina, me ç’rast trofeu u takoi verdhezinjve, ishte më se e qartë se rivaliteti në elitën e basketbollit kosovar do të zhvillohej në kryeqytet dhe në “Karagaçi”. Dhe kështu edhe ndodhi.

Peja pas XXVIII xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës ka bilanc prej 23 fitore e 1 humbje, kurse Sigal Prishtina ka regjistruar 20 fitore e 4 humbje.

Dy skuadrat tjera që në fazën e rregullt të edicionit luftuan për një vend në “play-off” dhe që ia dolën me sukses ta realizojnë këtë synim, janë Bashkimi me 16 fitore e 8 humbje dhe Trepça me 11 fitore e 13 humbje.

Peja gjatë edicionit të rregullt ka pasur disa “luhatje”, por pavarësisht kësaj ia ka dal që me sukses ta përmbyll pjesën e rregullt, duke e pësuar vetëm 1 disfatë dhe atë nga rivali i përbetuar Sigal Prishtina. Verdhezinjtë në të njëjtën kohë kanë bërë gara edhe në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL), ku gjithashtu kanë përjetuar disfatë nga Prishtina, si dhe nuk kanë arritur të renditen në gjysmëfinale të kësaj gare. Kryeqytetasit ua kanë shkaktuar edhe një tjetër humbje pejanëve, e kjo ka ndodhur në finale të Ipko Kupës së Kosovës.

Ndërkaq bardhekatrit në pjesën e rregullt, numërojnë 4 disfata, 3 nga Peja dhe 1 nga Bashkimi. Sigal Prishtina pothuajse të gjitha disfatat i ka regjistruar gjatë krizës së saj, të cilën e ka përjetuar në fund të vitit të kaluar, përderisa tani është në formën më të lartë, duke marr parasysh faktin se është plasuar edhe në finalen e madhe të BIBL-it, aty ku të mërkurën do të tentoj ta mbroj trofeun e fituar një vit më parë.

Ndërkohë dy ekipet tjera që kanë zënë vend në garat shtesë, Bashkimi nga Prizreni dhe Trepça nga Mitrovica, i kanë realizuar pritshmëritë e tifozëve të tyre, duke marr parasysh edhe buxhetin dhe fondin me lojtarë, karshi dy skuadrave lidere të renditjes tabelare.

Në këtë mënyrë në “play-off”, në gjysmëfinale do të takohen Peja – Trepça dhe Sigal Prishtina – Bashkimi. Garat shtesë do të startojnë me ndeshjet e para gjysmëfinale, që do të zhvillohen në fundjavën e ardhshme, respektivisht në “Karagaçi” dhe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Për sa i përket ekipeve të tjera pjesëmarrëse në garat e elitës së basketbollit kosovar, Golden Eagle Ylli nga Theranda sivjet ka mbetur jashtë garave shtesë për dallim nga viti i kaluar kur befasoi të gjithë me formën e lartë dhe i tejkaloi pritshmëritë, kurse Vëllaznimi nga Gjakova dhe Kerasan Prishtina e bënë atë edhe që pritej, duke e përfunduar edicionin, respektivisht në pozitën e gjashtë dhe të shtatë.

Ekipi gjakovar me përbërjen e varfër të lojtarëve nuk mundi të bënte diç më shumë, derisa skuadra e dytë nga kryeqyteti, e cila debutoi në elitë në këtë edicion, përbëhet nga basketbollistë të moshës nën 20 vjeç, të cilët vijnë nga Akademia e Prishtinës. Përkundër disfatave të njëpasnjëshme Kerasan Prishtina la përshtypje të mira, pasi në çdo ndeshje bëri maksimumin përballë shumicës së skuadrave që në radhët e tyre kanë më shumë se nga 2 lojtarë të huaj në përbërje.

Superliga e Kosovës sivjet ka numëruar 7 skuadra, pasi që Kastrioti i Ferizajt pak ditë pa filluar edicioni i ri vendosi të tërhiqet nga garat, në mungesë të mjeteve financiare për të zhvilluar aktivitetin e saj.