Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi ka thënë se është i vetëdijshëm se i pret një ndeshje e vështirë në Gjevgjeli kundër Kozuv-it. Bardhekaltërve në këtë takim do t’ju mungojnë Jason Washburn dhe Ylli Kaçaniku.
“Na pret një ndeshje e vështirë me Kozuv-in. Do të na mungojnë dy lojtarë, kurse Mohamed Abukar është mirë dhe pritet të luajë. Tashmë në shtabin teknik nuk është Marjan Ilievski dhe ne kemi zhvilluar stërvitjen nën drejtimin e Fikret Shatrit dhe Albert Sylejmanit. Ne jemi profesionistë dhe mendojmë si profesionistë. Kemi besim te trajnerët, ashtu si edhe ata te ne. Nëse jemi bashkë do të fitojmë këtë ndeshje. Do të japim maksimumin dhe ne gjithmonë luajmë për fitore”, ka deklaruar Edo.
Sigal Prishtina është mysafire e Kozuv-it në Gjevgjeli të Maqedonisë, ndeshje kjo që do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 19:00 dhe i takon xhiros së pestë të Grupit A të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).
Në duelin e parë të zhvilluar në Prishtinë ndërmjet këtyre dy skuadrave fitore patën regjistruar bardhekaltrit me rezultat 88:60.
Kampionia në fuqi e BIBL-it, Sigal Prishtina në kuadër të këtij grupi nga 3 ndeshje të luajtura ka shënuar 2 fitore e 1 humbje duke grumbulluar kështu 5 pikë, 3 më pak se lideri Mornar-i nga Mali i Zi, por që kjo skuadër e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar, derisa nuk e ka pësuar asnjë humbje.