Sigal Prishtina e ka humbur edhe një tjetër ndeshje vetëm pas vazhdimeve dhe kjo së fundi i ka ndodhur sot në Enisey të Rusisë.
Bardhekaltrit janë mposhtur nga ekipi Enisey pas kohës shtesë me rezultat 102:101 (22:32, 18:18, 26:16, 21:21, 15:14).
Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së tretë të Grupit H në FIBA Europe Cup.
Në fakt kjo ishte paraqitja më e mirë e bardhekaltërve në edicionin e ri në të gjitha garat ku marrin pjesë.
Përballjen me Enisey, Sigal Prishtina e ka hapur mjaft mirë duke dominuar në tërësi në çerekun e parë, të cilin e përmbylli në favor të saj me shifrat 32:22. Në dhjetëminutëshin e dytë forcat u baraspeshuan në parket, ku nikoqirët e përmirësuan paksa lojën e tyre, mirëpo mysafirët ia dolën që pas 20 minutave lojë të shkojnë në pushim me dhjetë pikë dallim 50:40.
Me t’u kthyer në parket ishte Enisey, ajo skuadër që tani e diktonte ritmin e lojës dhe bëri që çerekun e tretë ta përmbyll në dobi të saj me rezultat 26:16.
Ashtu edhe siç pritej në çerekun e katërt u zhvillua luftë e madhe në parket dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se edhe pas 40 minutave lojë nuk patëm fitues nga kjo ndeshje (87:87).
Edhe në pesë minutat shtesë rivaliteti vazhdoi në nivelin më të lartë të mundshëm, ku vetëm në sekondat e fundit vendasit ia dolën që t’i marrin dy pikët e reja në fazën e rregullt të FIBA Europe Cup.
Më i dalluari në radhët e Sigal Prishtinës ishte Jabarie Hinds me 23 pikë, 4 kërcime e 7 asistime, kurse te Enisey më efikasi ishte Frank Elegar me 19 pikë, 16 kërcime e 2 asistime.
Ndeshjen e radhës në kuadër të FIBA Europe Cup, Sigal Prishtina do ta luaj më 9 nëntor kundër ekipit turk Demir Insaat nga i cili pati pësuar humbje në ballafaqimin e parë me rezultat të thellë 100:58.