Në fund të dhjetorit është koha për të bërë bilancin e vitit 2017, por edhe për të shikuar përpara, pra në sfidat që na presin në 2018.
Jemi në prag të përmbylljes së vitit 2017, por çfarë ishte ky vit për basketbollin kosovar? Çfarë na pret në 2018?
Në këto pyetje do të përgjigjet kryetari i Federatës Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, i cili me sukses i ka prirë Bordit të FBK-së dhe është përballur me të gjitha sfidat që ka hasur basketbolli kosovar gjatë këtij viti.
Viti 2017, anët e forta dhe të dobëta të basketbollit kosovar?
Padyshim se e arritura më e madhe e vitit ka qenë sigurimi i një vendi me Përfaqësuesen A të Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Kemi qenë në një grup mjaft të vështirë në fazën e parakualifikimeve evropiane, se bashku me Estoninë dhe Maqedoninë dhe falë fitoreve në shtëpi ndaj këtyre dy Përfaqësueseve, me përkrahjen e parezervë të shikuesve tanë ia kemi dal me sukses që së bashku me Estoninë të vazhdojmë tutje, duke e lënë pas Maqedoninë, e cila atëbotë ishte e 38-ta në renditjen botërore.
Krahas suksesit me Përfaqësuesen A gjatë verës së këtij viti ne kemi shënuar një tjetër sukses në nivel të Përfaqësueseve, ku Kosova U-20 e ka përmbyllur aventurën e saj në Kampionatin Evropian U-20, Divizioni B në Oradea të Rumanisë në pozitën e 12-të, e që është e arritura më e madhe nga Përfaqësueset e Reja që nga pranimi në FIBA.
Në aspektin organizativ, zyra ekzekutive e FBK-së është rritur edhe më shumë për nga numri, ku kemi hapur vende të reja të punës, derisa dy pjesëtarë të stafit janë duke u shkolluar në programin e FIBA-s të ashtuquajtur “TIME-OUT”.
Sivjet për herë të parë që nga pranimi në FIBA, 3 gjyqtarë dhe 1 vëzhgues nga Kosova e kanë marr thirrjen e FIBA-s, derisa në 2017-tën kemi filluar edhe me Programin për Edukimin dhe Licencimin e Trajnerëve. Për ne krijimi i kuadrove të reja profesionale është shumë i rëndësishëm, por edhe jemi të vetëdijshëm se brenda një viti nuk mund të arrijmë qëllimin, andaj duhet të kemi durim, por edhe përgjegjësi për të realizuar synimet tona.
Dobësi vazhdon të ketë, sepse jemi të kufizuar sa i përket infrastrukturës dhe përkrahjes së duhur institucionale. Por këtu gjendja ka filluar të përmirësohet, por duhet edhe shumë punë dhe më shumë përkrahje si financiare ashtu edhe logjistike nga ana e shtetit.
Sivjet po ashtu pothuajse për herë të parë që nga paslufta e kemi një Superligë të dobët, e cila nuk i ka përmbush pritshmëritë e adhuruesve të basketbollit kosovar.
Por deri te kjo gjendje kemi arritur për disa arsye e ndër të parat është mungesa e ligjit për sponsorizim, lodhja e sponsorëve për të ndihmuar klubet, dhe pa pasur lehtësime nga shteti, pastaj puna jo në nivelin e kërkuar dhe dëshiruar nga FBK me gjenerata të reja, si dhe kriza ekonomike-financiare që e ka kapluar çdo aspekt të jetës në Kosovë, e veçanërisht në sport në disa vitet e fundit.
Për dallim nga skuadrat, Federata e Basketbollit e Kosovës i ka rezistuar krizës financiare në sport, edhe pse nga Ministria e Sportit arrin të marr vetëm 30% të buxhetit të saj, derisa në dy vitet e fundit e kemi shtuar atë për 20%.
Cilat janë prioritet e FBK-së?
Prioritetet janë të ngjashme, por çdo vit është duke ndryshuar mënyra e realizimit të qëllimeve.
Që nga pranimi në FIBA ne jemi duke marr pjesë me ekipe kombëtare të gjeneratave të ndryshme dhe në të dyja konkurrencat, por sivjet erdhi koha që të kërkojmë rezultate dhe kjo edhe ndodhi, pas suksesit me Përfaqësuesen A të Kosovës, por edhe me përparimin në renditje të disa prej Përfaqësueseve të Gjeneratave të Reja në Kampionate Evropiane, Divizione B dhe C.
Krahas kësaj, është e vërtetë se ne jemi në një grup shumë të vështirë në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, pra me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë, por ne synojmë që të paktën t’i shënojmë dy fitore në shtëpi dhe kështu të besojmë në kualifikim tutje. Jemi të vetëdijshëm se nuk është aspak lehtë, por në të njëjtën kohë nuk është edhe e pamundshme. Ne do të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar, sepse tani e kemi krijuar mentalitetin e fituesit.
Cilat janë sukseset më të mëdha të basketbollit kosovar në vitin 2017?
Sukses është në tërësi ajo që kemi bërë me ekipe kombëtare dhe fakti që kemi arritur të zëmë vend në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Tani po luajmë në këtë kompeticion në grup me Lituaninë, superfuqinë botërore të basketbollit, e cila e ka përmbyllur vitin 2017 në pozitën e 5-të, pastaj me Hungarinë dhe Poloninë.
Në muajin nëntor kemi arritur që të zbresim nga pozita 96-të në renditjen botërore për 10 pozita, pra në të 86-tën, që nuk është pak, ani pse në Dritaren e Parë të kualifikimeve evropiane nuk arritëm të shënojmë asnjë fitore në dy takimet e luajtura.
Në ndeshjet parakualifikuese dhe ato kualifikuese jemi dëshmuar si organizatorë të suksesshëm, pavarësisht se është dashur të bëjmë improvizime të shumta në palestër.
Tjetër sukses është se Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt). Kampionati do të mbahet prej 22 deri më 29 korrik të vitit 2018 në Prishtinë.
Sfidat që e presin FBK-në në vitin 2018?
Tashmë kemi arRITUR në stadin kur FBK po përqendrohet më shumë në programe zhvillimore dhe në punë të ekipeve kombëtare dhe po pret që klubet të mund të mbijetojnë dhe funksionojnë me sa më pak ndihmë direkte nga ana jonë. Për t’u realizuar në tërësi kjo kërkon pak kohë, por ne do të vazhdojmë ta shtyjmë përpara këtë proces.
Kjo do të jetë sfida jonë për të ardhmen, mirëpo, në 2018 pa dyshim se sfida kryesore është të tentojmë të triumfojmë në Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C që do të organizohet në Prishtinë në mënyrë që më pas të fitojmë të drejtën për të garuar në një nivel më lartë, pra në Divizion B.
Po ashtu siç e ceka edhe më lartë, synojmë fitore në shtëpi në kualifikime me Përfaqësuesen A dhe të vazhdojmë tutje në këtë kompeticion.
Për fund një urim për të gjithë njerëzit që e duan basketbollin?
Fillimisht dua ti përshëndes gjithë ata adhurues të basketbollit që me përkrahjen e tyre në ndeshje dhe me bisedat e kritikat e sinqerta sportive, po na ndihmojnë që çdo ditë të rrisim nivelin tonë.
Po ashtu falënderoj të gjithë sponsorët tanë që na kanë përkrahur gjatë vitit 2017 dhe besoj se në 2018-tën me fillimin e implementimit të Ligjit për Sponsorizim numri i sponsorëve të FBK-së dhe klubeve të saj do të rritet edhe më shumë.
Të gjithëve ju uroj çdo të mirë në vitin 2018 dhe shpresoj që sukseseve të reja do ti gëzohemi së bashku.