Rreth 70 fëmijë (djem dhe vajza) të grupmoshave U-12 dhe U-14, të shtunën dhe të dielën janë grumbulluar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në Kampin e zhvilluar në palestrën e sportit të Kolegjit ISP në Prishtinë. Kampi është organizuar nga FBK, por është mbështetur nga FIBA dhe FIBA Europe.
Qëllimi i organizimit të këtij kampi ka qenë masovizimi i basketbollit ndër djem dhe vajza të këtyre grupmoshave, por nëpërmjet këtij aktiviteti FBK ka pasur për qëllim edhe identifikimin e lojtarëve dhe lojtareve të reja, në mënyrë që të fillohet puna në ndërtimin e Përfaqësueseve U-14 në të dyja konkurrencat.
Në fakt kampi prej 4 deri më 8 prill është zhvilluar në qytete të ndryshme të Kosovës, si në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Gjilan, Gjakovë, Istog dhe Shtërpce. Në këto qytete kanë punuar trajnerët e klubeve të grupmoshave U-12 dhe U-14, të cilët më pas i kanë përzgjedhur fëmijët nga vendet e tyre, në bashkëpunim me koordinatorin e FBK-së për gjenerata të reja, trajnerin amerikan, Chris Dial dhe këta fëmijë më pas janë dërguar për në kampin dyditor në Prishtinë.
Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së: “Gjatë 5 ditëve të javës, fëmijët kanë stërvitur nga dy herë në ditë me trajnerët që punojnë me këto grupmosha në qytetet e tyre, ndërsa të premten janë përzgjedhur fëmijët të cilët kanë vazhduar më pas në dy ditët e fundit të kampit që është zhvilluar në Prishtinë, ku po ashtu është stërvitur nga dy herë në ditë. Sipas informatave që i kemi marr nga koordinatori Dial, që ka qenë nëpër këto qytete, brenda një dite nëpër të gjithë Kosovën në kuadër të këtij kampi kanë stërvitur 300-400 djem dhe vajza të reja të moshës 10-14 vjeç. Ne si federatë ky fakt na gëzon tej mase, sepse kemi të bëjmë me masovizim, por edhe me rritje të interesimit ndër fëmijë për të praktikuar basketbollin, që edhe ka qenë qëllimi kryesor i këtij kampi”.
Së bashku me koordinatorin Dial kanë punuar edhe trajnerët vendorë e ata janë: Fidan Shatri, Kimete Haliti, Petrit Zeqiri, Diamant Shabani, Laurant Ibrahimi, Qëndrim Demi, Donat Karaxha, Arianit Morina, Driton Rraci dhe Genti Zeka.
Kimete Haliti, trajnere e KB Kastrioti (femrat): “Ishte kënaqësi e madhe që për 7 ditë të punojmë nga dy herë në ditë më fëmijët. Prej të hënës deri të premten kemi punuar në Ferizaj me intensitet të lartë, pra nga dy herë në ditë stërvitje, ndërsa në fundjavë jemi zhvendosur në Prishtinë, ku kemi kaluar shumë mirë dhe ku është punuar maksimalisht. Për ne trajnerët këto aktivitete janë të mirëseardhura, pasi përveç faktit se fëmijët po mësojnë, edhe ne e kemi rastin që të mësojmë, por edhe të fitojmë përvojë nga trajneri Dial”.
Duhet theksuar se FBK planifikon që të vazhdoj punën me këto dy grupmosha dhe e ka në plan edhe organizimin e një tjetri kampi, i cili pritet të zhvillohet në fund të muajit qershor, gjithashtu në bashkëpunim me FIBA dhe FIBA Europe, në kuadër të programit ““Youth Development Camp”.