Dita e premte ka qenë shumë e rëndësishme për basketbollin e Kosovës.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka vazhduar marrëveshjen me ArtMotion, për të drejtat televizive, si dhe me Devolli Corporation, që do të jetë sponsori gjeneral i Superligës së Kosovës në basketboll. Gjithashtu në konferencën për media, që u organizua në studiot e Klan Kosovës, është nënshkruar edhe marrëveshja mes ArtMotion dhe Ligës Unike për të drejtat televizive.
Bashkëpunimi mes FBK-së dhe ArtMotion do të vazhdojë deri në vitin 2024, ku do të transmetohen të gjitha ndeshjet e rëndësishme të basketbollit në shtëpinë e basketbollit.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka thënë se ArtMotion është shtëpia e basketbollit të Kosovës. “ArtMotion është dëshmuar si partneri më i madh i sportit të Kosovës, duke marrë përsipër produksionin dhe emetimin e sportit vendor. Jemi të lumtur dhe krenarë që ArtMotion, e kemi partner medial, tash e dy vite dhe do ta kemi deri më 2024. Sivjet në ekranet e ArtMotion dhe një herë në javë në Klan Kosova do të shfaqen 182 ndeshje të basketbollit të Kosovës, duke përfshirë të gjitha ndeshjet e Superligës, pastaj ndeshjet e përzgjedhura për Superligën e Femrave, Ligën e Parë të meshkujve dhe kategorive të reja. Në këtë vit të vështirë jemi të lumtur që ArtMotion do të jetë me ne dhe adhuruesit e basketbollit do të kenë mundësinë që ndeshjet t’i përcjellin në ekranet televizive”, është shprehur Fetahu.
Alaudin Hamiti, drejtori i plarformës ArtMotion, deklaroi se, është i lumtur që ndeshjet e basketbollit do të jenë edhe më tutje në ekranet e ArtMotion. “Në një kohë shumë të shkurtër ArtMotion është shndërruar në adresën numër 1 për sportin vendor. Kemi ndihmuar në ngritjen e shikueshmërisë në basketbollin e Kosovës. Ne kemi një vizion të përbashkët për të promovuar basketbollin e Kosovës dhe deri më tani ja kemi dalur, duke transmetuar të gjitha ndeshjet e rëndësishme të basketbollit”, nënvizoi Hamiti.
Më pas u nënshkrua marrëveshja mes ArtMotion dhe Ligës Unike, ku drejtori i kësaj lige, Dren Zatriqi foli për rëndësinë që ka kjo marrëveshje. “Liga Unike ka qenë një ëndërr e kamotshme dhe ka qenë fati që këtë vit të realizohet kjo ëndërr. Për ne është hera e parë që kemi ArtMotion si sponsor medial dhe do të ishim të mangët pa ju. Ëndrra do të ishte e parealizuar pa ArtMotion. Secila ndeshje në Ligën Unike është derbi, sepse për herë të parë, katër skuadrat më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë do të ndeshen me njëra-tjetrën, ku 63 ndeshje do të shfaqen në ArtMotion”, deklaroi Zatriqi.
Ajka ishte në fund. Devolli Corporation do të jetë sponsor gjeneral i Superligës së Kosovës në basketboll. Barlet Imami, përfaqësues nga Devolli Corporation, tregoi pse kjo kompani e madhe ka vendosur që të jetë sponsor i elitës së basketbollit. “Devolli Corporation ndër vite ka ndihmuar në basketbollin e Kosovës, qoftë duke ndihmuar klubet, qoftë Federatën. Ne jemi të nderuar dhe të kënaqur të jemi pjesë e basketbollit të Kosovës, që është një sport i dashur për të gjitha grupmoshat, dy gjinitë dhe është i dashur në familjet tona. Ne ndjejmë për obligim që të përkrahim aktivitetet si në arenën vendore, po ashtu edhe ato ndërkombëtare”, tha Barleti.
Kështu Superliga e Kosovës në basketboll do të ketë sponsorin gjeneral dhe do të ndërrojë edhe emrin.
Ndërkohë, i pari i basketbollit të Kosovës ishte shumë i lumtur për sponsorizimin e plotë të Superligës së Kosovës në basketboll për katër vitet e ardhshme, duke bashkuar kësisoj dy prej brendeve më me renome në tregun e Kosovës, Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Devolli Corporation.