Të martën në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Komisari i Garave, Faton Kurshmlija kanë pritur krerët e Federatës Sportive të Punëtorëve të Kosovës (FSPK), presidentin Ismail Sadiku dhe sekretarin Sefedin Sefaj.
Gjatë këtij takimi zyrtarët e FBK-së kanë ofruar ndihmën e tyre në lidhje me riaktivizimin e Ligës së Basketbollit të Punëtorëve Sportivë të Kosovës dhe njëkohësisht i kanë ofruar përkrahje për çkado që është e nevojshme për riaktivizimin e kësaj lige, që është shumë e rëndësishme.
Ndërkohë, krerët e FSPK-së janë shprehur se riaktivizimi i kësaj lige është shumë i rëndësishëm, derisa kanë falënderuar FBK-në për mbështetje.
Gjatë këtij takimi u bë e ditur se për nder të 28 Nëntorit do të organizohet edhe një turne për Ditën e Flamurit, ku do të marrë pjesë edhe Federata e Basketbollit e Kosovës me dy ekipe, një në konkurrencën e meshkujve dhe një në atë të femrave.
Turneu do të zhvillohet më 23 nëntor dhe priten të zhvillohen ndeshje interesante në streetball, por edhe në sporte të tjera.