Sponsori i ligave të kategorive të reja, banka TEB u ka dhënë pesë basketbollistëve të rinj, një përjeti që do ta mbajnë në mend shumë gjatë. Këta basketbollistë, së bashku me një delegacion të FBK-së të udhëhequr nga Kryetari Erolld Belegu, sot kanë fluturuar për në Stamboll ku do të shohin ndeshjen e Euroligës ndërmjet ekipeve Fenerbahce dhe Nizhny Novogorod.
Në këtë ndeshje basketbollistët e rinj kosovarë do të kenë edhe rastin të takohen me Kenan Spahiun, djaloshin nga Prishtina aktualisht plej mejkerin e Fenerbahçes.
Banka TEB kështu ka bërë edhe një befasi të këndshme për basketbollistët e rinj, pasi vetëm para pak ditësh siguroi uniforma sportive për të gjitha ekipet e të rinjve në Kosovë.
Sponsorimi i bankës TEB dhe përkushtimi i tyre për basketbollin për të rinj ka bërë që dukshëm të rritet numri i ekipeve në garat për kategori të reja, fakt ky që kontribuon direkt në rritjen e cilësisë së basketbollit dhe përbën një nga prioritetet e angazhimit të FBK-së.