Në ditën e parë të vizitës në Zvicërr, anëtarët e delegacionit të Federatës së Basketbollit të Kosovës zhvilluan dy takime në selinë e FIBA-s. Anëtari i Bordit të FBK-së Arben Fetahu u takua me shefin e zyrës ligjore të FIBA-s Benjamin Cohen kurse temë e takimit ishte përputhshmëria e akteve normative të FBK-së me ato të FIBA-s dhe përmbajtja e aplikacionit të FBK-së për anëtarësim në FIBA, që tashmë është përgatitur nga ekipi i FBK-së.
Në takim u konstatua se aktet normative të FBK-së janë në përputhje me ato të FIBA-s dhe aplikacioni për anëtarësim përmban të gjitha pjesët që kërkohen për shqyrtim nga zyra ligjore. Në takimin e dytë, Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha u prit nga Javier Deshayes Lopez, zyrtati pergjegjës për transfere ndërkombëtare të lojtarëve.
Sipas z. Deshayes Lopez, FBK-ja kohëve të fundit, ka qenë shumë e përpiktë në zbatimin e rregullave dhe procedurave të tramsferimit të lojtarëve. Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha edhe në këtë takim përsëriti përkushtimin e FBK-së që të vazhdojë të respektojë procedurat dhe rregullat e FIBA-s, të cilësuara si parakusht i rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në FIBA.
Nesër në ora 14:00 delegacioni i FBK-së, i udhëhequr nga Kryetari Erolld Belegu në selinë e FIBA-s do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s z. Patrick Baumann dhe zyrtarë të tjerë të lartë të FIBA-s.