Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për herë të parë këtë vit do të startoj me Ligën U-16 në konkurrencën e femrave.
Në edicionin 2016/17 kjo ligë do të organizohet në formë të turneve, pasi që FBK ka vendosur që kësaj radhe kjo ligë të jetë si pilot-projekt, derisa vitin e ardhshëm pritet të zhvillohet në formë të ligës.
Deri te organizimi i kësaj lige ka ardhur pas interesimit të klubeve të qyteteve të ndryshme për të filluar me këtë projekt, por në të njëjtën kohë starti i kësaj lige dëshmon edhe rritjen e interesimit të vajzave të reja për të praktikuar basketbollin.
Dhe i gjithë ky motivim ka ardhur pas pjesëmarrjes së Përfaqësueses U-16 të Kosovës (femrat) në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni C në Andorra gjatë verës që e lamë pas, kur basketbollistet tona arritën të regjistrojnë dy fitore e dy humbje.
FBK ka vendosur që sërish të marr pjesë me këtë Përfaqësuese në Kampionatin Evropian, Divizioni C në vitin e ardhshëm dhe Liga U-16 do të shërbej si pasqyrë për përzgjedhjen e basketbollisteve të reja për këtë Përfaqësuese.
Formimi i kësaj lige është bërë edhe me mbështetjen financiare të Ministrisë së Sportit, ku në Memorandum Bashkëpunimin e nënshkruar gjatë këtij viti në mes FBK-së dhe MKRS-së, theks i veçantë i është kushtuar përkrahjes së basketbollit femëror, gjë që edhe është duke u implementuar nga FBK-ja.
Liga U-16 është e ndarë në dy grupe, A dhe B, kurse turnetë e parë do të organizohen më 19/20 nëntor, ndërsa më pas do të vazhdohet çdo javë deri në përmbyllje të këtij viti me turne në qytete të ndryshme të Kosovës. Vitin e ardhshëm do të vazhdohet me të njëjtin sistem deri në “Final Four”, që do të organizohet për t’u kuptuar edhe skuadra kampione e kësaj lige.
Ekipet që do të marrin pjesë në Ligën U-16 të vajzave janë:
Grupi A
1. Prishtina
2. Trepça
3. Drita
4. Kastrioti
5. Vushtrria Basket
Grupi B
1. Penza
2. Junior 06
3. Kalaja
4. New Basket