Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) pas triumfit të Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike (BIBL) më 30.04.2015 ka organizuar darkë të përbashkët në restorantin “Pishat” në kryeqytet për nder të suksesit të bardhekaltërve. Në këtë darkë kanë qenë të ftuar basketbollistët, zyrtarët dhe stafi i klubit, ndërsa krahas tyre morën pjesë edhe drejtuesit e FBK-së.
Pas kësaj darke të përbashkët Sigal Prishtina është pritur nga qytetarët në Sheshin “Zahir Pajaziti” për ta festuar së bashku titullin e kampionit në BIBL. Festa ka zgjatur deri në orët e vona, ku qytetarët kanë pasur rastin edhe të takohen me heronjtë e Kosovës.
Sigal Prishtina ka hyr në histori si skuadra e parë kosovare që e ka fituar një trofe në një garë rajonale. Bardhekaltrit këtë sukses e kanë arritur të mërkurën mbrëma në Samokov të Bullgarisë, pasi e kanë mposhtur ekipin nikoqir, Rilski Sportist me rezultat 80:71. Kjo ishte ndeshja e dytë finale e BIBL, derisa ajo e para është zhvilluar të martën e kaluar në kryeqytetin kosovar, ku fitore të ngushtë kanë shënuar bardhekaltrit me shifrat 74:72.
Në këtë mënyrë bardhekaltrit atë që nuk arritën ta bëjnë në edicionin debutues në Ligën Ballkanike, kur edhe ishin organizatorë të “Final Four”-it, e bënë në edicionin e dytë, pra janë stolisur me trofeun e Ligës Ballkanike. Një edicion më parë ata u eliminuan në gjysmëfinale nga skuadra izraelite, Galil Gilboa, ndërsa kampion atëbotë u pati mposhtur ekipi bullgar, Levski.