Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Fetahu: Ferizaj, Gjakova dhe Istogu të gatshme për zhvillim dhe avancim të mëtutjeshëm të basketbollit me përkrahjen e FBK-së

  • Fetahu: Ferizaj, Gjakova dhe Istogu të gatshme për zhvillim dhe avancim të mëtutjeshëm të basketbollit me përkrahjen e FBK-së
19 Qershor 2020

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu e ka pasur agjendën e ngjeshur pasi në ditët e fundit ka zhvilluar takime të rëndësishme për zhvillimin dhe avancimin e basketbollit në qytete të ndryshme të Kosovës.

Numri një i FBK-së është takuar me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinin, pastaj me Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliun. Kryetari Fetahu në këto takime ka qenë i shoqëruar nga anëtarë të Bordit të FBK-së dhe zyrtarë të lartë të FBK-së.

Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së:

“Ideja e këtyre takimeve dhe pikërisht në këto tri qytete ka qenë mbështetja e klubeve aktive nëpër këto qytete nga ana e FBK-së, por edhe atyre që pritet të riaktivizohen në ditët në vijim.

Unë jam shumë i kënaqur me rrjedhën e këtyre tri takimeve, sepse është e rëndësisë së veçantë që të kemi mbështetjen direkte nga njerëzit kryesorë të këtyre komunave.

Përveç mbështetjes që klubet tona të këtyre qyteteve e kanë marrë deri më tani dhe do ta marrin në vazhdim nga komunat përkatëse, ne gjithashtu si FBK jemi zotuar se do të vazhdojmë të kontribuojmë në zhvillimin e këtyre skuadrave, por edhe basketbollit në përgjithësi në këto qytete”.

Kryetari Fetahu ka bërë të ditur se në Gjakovë me Kryetarin e Komunës, Ardian Gjini kanë biseduar për kthimin e Vëllaznimit në Superligën e Kosovës dhe për përkrahjen e vazhdueshme që komuna ia jep dy ekipeve të basketbollit, si dhe për zhvillimet e fundit infrastrukturore në komunë dhe punët që duhet kryer brenda palestrës. Sipas Fteahut, është shprehur gatishmëria e Komunës për të shtuar përkrahjen për dy ekipet e Vëllaznimit (meshkuj/femra). Gjini dhe Fetahu janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin gjatë verës për të mobilizuar përkrahje edhe më të madhe për basketbollin gjakovar dhe për ta rikthyer namin e dikurshëm të qytetit si vatër e basketbollit.

Ndërkohë në Istog është mirëpritur vizita e kreut të FBK-së dhe përkrahja për basketbollin e Istogut nga Kryetari i Komunës, Haki Rugova. Është diskutuar për palestrën që është në përfundim e sipër dhe për inaugurimin e saj me një ndeshje revyale ndërmjet KB Istogut dhe Përfaqësueses A të Kosovës në vjeshtën e këtij viti. Në këtë takim është theksuar puna e madhe dhe shembullore që KB Istogu ka bërë për zhvillimin e basketbollit dhe për idetë e mëtejme për zgjerimin e veprimtarisë tek vajzat dhe grupmoshat tjera. Pas takimit me ftesë të nikoqirit, Kryetarit Rugova u zhvillua një vizitë në palestrën e mrekullueshme të Istogut, punimet në të cilën janë në finalizim e sipër, për të parë për së afërmi kushtet infrastruktore në të cilat sporti istogas pritet t’i zhvillojë garat nga vjeshta e tutje.

Në takim me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu është biseduar për riaktivizimin e basketbollit të meshkujve në qytetin e dytë në Kosovë sa i përket kapaciteteve ekonomike. Kthimi i basketbollit në konkurrencën e meshkujve dhe intensifikimi i përkrahjes për vajzat ferizajase ishte bosht i diskutimeve të zhvilluara në atmosferë tejet miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet të parit të FBK-së dhe Kryetarit të Komunës së Ferizajt. U premtua përkrahje e shtuar materiale dhe funksionale për rithemelimin e klubit të basketbollit nga Ferizaj dhe për projektin afatgjatë të zhvillimit të basketbollit në këtë komunë. Ideja është që së shpejti të bëhet publik lajmi për rithemelimin e KB Kastrioti dhe fillimit të garave në kuadër të FBK-së.