Tre trajnerë kosovarë të grupmoshave të reja janë pranuar në programin e FECC-së (FIBA Europe Coaching Certificate) që do të zgjas dy vjet dhe më pas të njëjtit do të kenë mundësi edhe të certifikohen. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur nga Munihu sekretari i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Leart Hoxha. “FIBA Evropa e ka konfirmuar pranimin e trajnerëve kosovarë. Kosova është i vetmi shtet që ka 3 trajnerë në ciklin 2015-2017. FBK falënderon FIBA Evropën për përkrahjen e vazhdueshme, ndërsa trajnerëve tanë u dëshirojmë suksese. Duke marr parasysh faktin se kategoritë e reja do të vazhdojnë të jenë në fokusin tonë, posaçërisht tani që jemi anëtarësuar në FIBA dhe kur e kemi intensifikuar punën me Përfaqësuese të reja, atëherë ky lajm është një shenjë më shumë se pozitive për basketbollin kosovar në përgjithësi”, është shprehur Hoxha, i cili të hënën e 20 prillit ka marr pjesë në Takimin e 11-të të Sekretarëve të Përgjithshëm të Federatave anëtare të FIBA Evropës. Duhet theksuar se trajnerët tanë që do ta vijojnë programin e FECC-së do të kenë mundësi të ndjekin ligjëratat gjatë zhvillimit të Kampionateve Evropiane të U-16, U-18 dhe U-20, por njëkohësisht do të kenë edhe detyra të tjera që do t’i kryejnë gjatë punës nëpër klubet e tyre.