Pasi FBK u detyrua që ndeshjet si vendës për kualifikime ti zhvendosë nga Pallati i Rinisë në Prishtinë, në palestrën Minatori në Mitrovicë dhe pasi FIBA u njoftua për këtë ndryshim, në palestrën Minatori kanë filluar punimet për përgatitje të këtij objekti për ndeshjet kualifikuese për Eurobasket 2017.
Faza e parë përfshin vijëzimin e fushës së lojës sipas kritereve të FIBA-s për ndeshje ndërkombëtare, proces ky që pritet të përfundojë brenda ditësh.
Federata e Basketbollit është e vendosur të bëjë maksimumin që deri në ditën e ndeshjes së parë si vendës – duelit me Ukrainën më 3 shtator, të jetë gjithçka e gatshme për zhvillim korrekt të ndeshjes.