Sot ka nisur Kampi Nacional U-14 në Suharekë, derisa do të zgjatë deri më 20 korrik. Fillimisht për një javë do të stërviten meshkujt dy herë në ditë, derisa nga 14 deri më 20 korrik do të stërviten vajzat.
Kampin zyrtarisht të hapur e ka shpallur Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku. Ajo në fjalimin e saj ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët e këtij kampi siç është FIBA, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Komuna e Suharekës, Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli, Ujë Rugove dhe sponsori GoldenEagle.
Dushku ka folur edhe për rëndësinë e kampit, duke shtuar se, ky kamp është i rëndësisë së veçantë për fëmijët dhe zhvillimin e tyre në basketboll.
Kampi si te meshkujt, ashtu edhe te femrat, ka për synim që të përzgjidhen lojtarët më të mirët për këtë grupmoshë, e që do të përfaqësonin Kosovën në të ardhmen.
Ky është edhe një projekt i FBK-së që i kushton rëndësi gjeneratave të reja, në të dyja konkurrencat.
Kampi udhëhiqet nga Dritëro Sefaja, derisa do të jenë edhe dhjetë trajnerë që do të punojnë me fëmijët gjatë kampit.
Në konkurrencën e meshkujve janë përzgjedhur 49 lojtarë, derisa 40 në atë të femrave.