Bashkimi e ka shënuar një fitore mjaft dramatike ndaj Teodo-s në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit B të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL). Skuadra nga Prizreni ka triumfuar të martën mbrëma me shifrat 79:78 para tifozëve të saj kundër ekipit nga Tivati i Malit të Zi.
Ndeshja është përcaktuar nga Antabia Waller, i cili i ka shënuar pikët e fitores vetëm 2 sekonda pa përfunduar takimi.
Me këtë fitore Bashkimi tani zë vendin e tretë në Grupin B me 3 fitore e 3 humbje, kurse Teodo është lidere e tabelës me 4 fitore e 2 humbje, por po ashtu me një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Takimin e radhës Bashkimi do ta luaj në Sofje të Bullgarisë, ku do të ballafaqohet me Levski 2014, ndërsa Teodo do ta vizitojë "Karagaçin" ku atje e pret Peja.
Më të dalluarit te fituesit ishin Marcel Jones me 27 pikë, 9 kërcime e 4 asistime, Gerti Shima me 16 pikë e 14 kërcime dhe Granit Rugova me 15 pikë. Në anën tjetër te humbësit më efikasit ishin Manuel Johnson me 16 pikë e 11 kërcime dhe Aaron Mitchell me 13 pikë.
Bashkimi-Teodo 79:78 (21:17, 21:21, 19:22, 18:18)
Palestra e Sportit “Sezai Surroi” në Prizren.
Shikues: rreth 2.000.
Gjyqtarë: Z. Mitrovski, A. Pavlov, A. Ferevski.
Bashkimi: Jones 27, Bussey 4, Waller 12, Rugova 15, Shima 16, Tahiri 3, Kryeziu, Biraj 2, Balluku, Hysenagolli.
Teodo: Mitchell 13, Vuçuroviç 8, Zejak 9, Johnson 16, Vrbica 11, Gjurishiq 14, Angjeliq, Subotiq 3, Arsiç 4, Krivokapiq, Kallugjeroviq, Shariq.