Ballafaqimi në mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit në palestrën “13 Qershori” në Therandë ka përfunduar me fitore të bardhekaltërve me rezultat 95:75 (20:28, 26:18, 28:16, 21:13).
Kjo ndeshje është e mbetur, pra i takon xhiros së pestë të Superligës së Kosovës dhe Prishtina ka luajtur si nikoqire në Therandë për shkak të rinovimit të parketit në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Takimi në mes prishtinasve dhe bardhekaltërve është dashur të luhet më 2/3 nëntor, por që atëbotë skuadra kampione e Kosovës ka qenë e fokusuar në garat e FIBA Europe Cup dhe me marrëveshje të dy klubeve ndeshja ishte shtyrë.
Në duelin e zhvilluar të premten mbrëma Sigal Prishtina nuk hasi në vështirësi për ta mposhtur Golden Eagle Yllin, skuadër kjo me të cilën do të takohet edhe të dielën po në Therandë, por tani në kuadër të xhiros së 12-të në elitën e basketbollit kosovar.
Koshashënuesit më të mirë te fituesit ishin MJ Rhett me 22 pikë, Jabarie Hinds me 18 dhe Edmond Azemi me 14 pikë, kurse në anën tjetër më efikasit ishin Ergin Grosha me 31 pikë dhe Urim Zenelaj me 25 pikë.