Basketbollistët e Bashkimit kanë triumfuar në ballafaqim me skuadrën e Vllaznimit në ndeshjen që i ka takuar xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës në basketboll.
Takimi i luajtur të premten mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë ka përfunduar me shifrat 94:72 (24:11, 31:11, 16:33, 23:17) në favor të prizrenasve.
Ndërkaq të shtunën në program kanë qenë dy ndeshje, ajo që është zhvilluar në kryeqytet ku janë përballur Kerasan Prishtina dhe Sigal Prishtina, ku fitore ka regjistruar kjo e fundit me rezultat 140:82 (32:15, 37:22, 33:18, 38:27) dhe takimi tjetër është luajtur në Therandë, ku Golden Eagle Ylli ka triumfuar ndaj Rahovecit me shifrat 89:77 (26:27, 20:21, 19:15, 24:14).
Duhet theksuar se kryendeshja e xhiros së dhjetë në elitën e basketbollit kosovar do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 17:00 në palestrën “Karagaci”, ku Peja e pret Trepcën.
Në këtë ndeshje pritet që rivaliteti të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe kështu adhuruesit e basketbollit kosovar do të kenë mundësi të shohin basketboll cilësor nga të dyja taboret.
Në duelin e parë të luajtur ndërmjet këtyre dy ekipeve fitore pati regjistruar Peja në “Minatori” me rezultat 56:54.