Sigal Prishtina e ka shënuar fitoren e dytë radhazi në shtëpi në Grupin A në Ligën Ballkanike (BIBL).
Kampionët e BIBL-it të martën mbrëma vetëm pas vazhdimeve kanë triumfuar ndaj Teodo-s nga Tivati i Malit të Zi me rezultat 98:93 (29:25, 25:25, 17:23, 17:15, 10:5) në një ndeshje mjaft dramatike dhe me kthesa në rezultat. Pjesa e rregullt e takimit është mbyllur me shifrat 88:88, ndërsa në pesë minutat shtesë nikoqirët ia dolën të realizojnë 10 pikë, kurse kundërshtarin e ndalën në vetëm 5 sosh.
Në fakt ndeshja ishte e baraspeshuar prej fillimit e deri në fund, e këtë më së miri e dëshmon edhe rezultati në çdo dhjetëminutësh, andaj ishte edhe më se e qartë se fituesi i këtij dueli do të vendosej vetëm pas një përfundimi dramatik, apo edhe në kohën shtesë, gjë që edhe ndodhi kjo e fundit.
Pas këtij rezultati Sigal Prishtina tani ka bilanc prej 2 fitore e 2 humbje në Grupin A, kurse Teodo ka 3 fitore e 3 disfata.
Javën e ardhshme kampionët e Ligës Ballkanike janë mysafirë të Kumanovës, kurse Teodo do të përballet me Kozuv-in në Gjevgjeli të Maqedonisë.
Jabarie Hinds ishte koshashënuesi më i mirë te Sigal Prishtina me 23 pikë, kurse Malcolm Rhett ka shtuar 20 pikë e 12 kërcime dhe Fisnik Rugova e përmbylli duelin me 14 pikë e 7 kërcime.
Te Teodo më efikasit ishin Nikola Vuquroviq me 26 pikë, Radomir Marojeviq me 20 pikë e 6 kërcime dhe Petar Kusovac me 18 pikë e 8 kërcime.