Sigal Prishtina e ka krijuar një avantazh të vogël pas ndeshjes së parë finale në Ligën Ballkanike (BIBL). Në shtëpi të vet skuadra bardhekaltër sot në një atmosferë fantastike dhe në prani të rreth 3000 shikuesve e ka mposhtur ekipin e Rilski Sportist nga Samokovi i Bullgarisë me rezultat 74:72 (21:27, 17:16, 17:13, 19:16), që do të thotë se gjithcka do të vendoset në Samokov të mërkurën e ardhshme (29 prill), kur edhe zhvillohet ndeshja e dytë finale. Mysafirët kanë udhëhequr në shumicën e kohës, por nikoqirët në cerekun e katërt krijuan një epërsi të lehtë, të cilën arritën edhe ta ruajnë deri në fund, kur edhe fituan me vetëm 2 pikë dallim.
Të dyja skuadrat e nisën mirë ndeshjen duke shënuar herë njëra e herë tjetra, por në një pikë të duelit ishte Rilski ajo që arriti ta menaxhoj lojën duke krijuar epërsi edhe prej 6 pikëve, ndërsa ekipet në pushim shkuan me shifrat 38:43 në të mirë të mysafirëve. Në cerekun e tretë ekipi bullgar ka vazhduar me të njëjtin ritëm, por në të katërtin gjërat ndryshuan, pasi ishin bardhekaltrit ata që e morën lojën nën kontroll, së pari duke e barazuar rezultatin dhe më pas edhe duke krijuar epërsi prej 6 pikëve. Megjithatë Rilski nuk u dorëzua, por u kthye sërish në lojë dhe kështu ia vështirësoi gjërat Prishtinës duke bërë që në fund bardhekaltrit të fitojnë me vetëm 2 pikë epërsi.
Më efikasi te vendasit ishte Edin Bavcic me 23 pikë, derisa ai ka kapur edhe 8 topa nën tabelë, ndërsa Dardan Berisha e ka përmbyllur duelin me 18 pikë. Te mysafirët më të dalluarit ishin Zarko Rakocevic me 21 pikë e 9 kërcime dhe Vernon Taylor me 20 pikë.
Duhet theksuar se barazimi apo edhe humbja minimale në ndeshjen e kthimit do ta shpall Prishtinën kampione të Ligës Ballkanike (BIBL).
Sigal Prishtina-Rilski Sportist 74:72 (21:27, 17:16, 17:13, 19:16)
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Shikues: rreth 3000.
Gjyqtarë: M. Ciulin, I. Dragojevic, Z. Ruteshic.
Sigal Prishtina: Bavcic 23, Azemi 5, Hulls 4, Mavunga 11, Jakupi, Mazreku, Trajkovski 9, Berisha 18, Stitt 4, Bajrami, Coles, Mekaj.
Rilski Sportist: Gugino 6, Taylor 20, Bozov 12, Rakocevic 21, Z. Georgiev 2, Milov, Ivanov 3, Norfleet 5, K. Georgiev, Kirov, Iliev 3, Todorov.