Bashkimi e ka mposhtur Kerasan Prishtinën me rezultat 85:63 në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet në kuadër të xhiros së XI-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndërkohë të dielën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë është zhvilluar ballafaqimi në mes Vllaznimit dhe Golden Eagle Yllit nga Theranda, ku fitore ka regjistruar kjo e fundit me shifrat 92:88. Kjo ndeshje prej fillimit e deri në fund ishte pothuajse e barabartë, ku me raste arrinte të shkëputej skuadra mysafire, e cila edhe ia doli të kthehet me fitore për në Therandë.
Ndërkaq derbi i xhiros së XI-të i paraparë të luhet në këtë fundjavë, Peja – Sigal Prishtina është shtyrë për datën 5 dhjetor me marrëveshjen ndërmjet skuadrave, për shkak të ndeshjes së rëndësishme që bardhekaltrit do ta zhvillojnë të martën në kuadër të xhiros së gjashtë të Grupit K të FIBA Europe Cup kundër AEK Larnaca-s nga Qipro.