Për herë të parë që nga pranimi me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) më 13 mars të këtij viti, Kosova do të marr pjesë në një takim zyrtar të nivelit të lartë të organizuar nga ky institucion.
Bëhet fjalë për Takimin e 11-të, të Sekretarëve të Përgjithshëm të Federatave anëtare të FIBA Evropës që do të mbahet më 20.04.2015 (e hënë) në Munih të Gjermanisë.
Në këtë takim është ftuar për të marr pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha. Krahas Takimit të Sekretarëve të Përgjithshëm që ka të bëjë me zhvillimet më të reja në FIBA Evropë, Hoxha do të takohet edhe me drejtorin e garave të FIBA Evropës, Ljubomir Mandic me të cilin do të bisedojë në lidhje me përgatitjet e Kosovës për Kampionatet Evropiane me dy Përfaqësueset U-16 dhe U-20, të cilat do të marrin pjesë në këto gara në korrik në San Marino (U-16) dhe në po të njëjtin muaj në Hungari (U-20). Hoxha do të takohet edhe me homologët e tij nga Maqedonia, Mali i Zi e Sllovenia për të diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, tani që Kosova është anëtare e barabartë me shtetet tjera në FIBA.
Duhet theksuar se pas këtij takimi që do të mbahet të hënën e 20 prillit, pason ai i kryetarit të FBK-së, Erolld Belegu dhe anëtarit të Bordit, Arben Fetahu në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, i cili mbahet më 16 e 17 maj në Maltë.
Prishtinë, 19.04.2015