Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) të enjten në hotel “Sirius” në Prishtinë e ka organizuar Konferencën me temën “Strategjia Kombëtare e Sportit” (2017-2021).
Shtyllat e kornizës për strategjinë kombëtare të Sportit dhe diskutimet janë bërë në infrastrukturën e sportit, masovizimin e sportit, sportin cilësor, sportin femëror, sportin për personat me nevoja te veçanta dhe integrimin e minoriteteve në sport.
Qëllimi i organizimit të kësaj Konference ishte identifikimi i faktorëve të rëndësishëm dhe nxjerrja e konkluzioneve që do të shërbejnë më pas në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sportit.
Në Konferencë ishin të pranishëm drejtues të federatave sportive në Kosovë, drejtor të drejtorive të Komunave në vendin tonë, si dhe zyrtarë të Departamentit të Sporteve të Kosovës (DSK) dhe ata të Ministrisë së Sportit.
Në mesin e folësve në këtë Konferencë ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Leart Hoxha, i cili ishte kritik së pari rreth organizimit të këtij eventi si dhe më pas me mungesën e kuadrove profesionale për ndërtimin e kësaj strategjie. “Së pari unë nuk e kam të qartë se çfarë do të ndodh pas kësaj Konference, kush do të punoj në hartimin e kësaj Strategjie, cilët njerëz, sepse kjo është shumë e rëndësishme, a do të përdoren kuadrot e deritashme që nuk janë treguar të denjë për një gjë të tillë, apo me të vërtetë do të kërkohen njerëz profesionistë. E vërtetë është se ky është një hap i mirë, por nëse flasim për Strategjinë prej vitit 2017 deri më 2021, dhe nëse ajo fillon të implementohet prej vitit 2017, atëherë a është e mundur që për 7 muaj të punohet në atë mënyrë që të nxirret një strategji e mirëfilltë. Sidoqoftë FBK-ja është e gatshme për bashkëpunim dhe e hapur për të ndihmuar në krijimin e kësaj Strategjie, por ne shpresojmë se në këtë strategji të punojnë njerëz që janë të thirrur për një punë të tillë”, ka thënë Hoxha para të pranishmëve duke shprehur kështu haptazi brengën për njerëzit që do të jenë pjesë e Grupit Punues të ndërtimit të kësaj Strategjie.
Të pranishëm në Konferencë ishin edhe ekspertë të kësaj fushe nga Sllovenia, të cilët i shpalosën para të pranishmëve përvojat e tyre në hartimin e Strategjisë Kombëtare në vendin e tyre, sfidat me të cilat janë përballur për ta realizuar një gjë të tillë, por edhe me ato që përballen pas hyrjes në funksion të kësaj Strategjie.