Bashkimi e ka regjistruar edhe humbjen e tretë në Grupi C në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) pasi të martën është mposhtur në Stara Zagora të Bullgarisë nga ekipi i këtij qyteti, Beroe me rezultat 90:80.
Bullgarët ishin më të mirë se prizrenasit në minutat e fundit të takimit dhe falë kësaj paraqitje në çastet vendimtare, ia dolën ta regjistrojnë triumfin e dytë në këtë grup, krahas një humbjeje dhe kanë gjasa që ende të luftojnë për një vend në gjysmëfinale të BIBL-it.
Në anën tjetër Bashkimi pas disfatës së tretë në grup tani i duhet të fitojë në të gjitha ndeshjet e mbetura deri në përmbyllje të fazës së dytë në mënyrë që të shpresojë në kualifikim për më tutje.
Javën e ardhshme Beroe është nikoqire e Mornar-it, kurse Bashkimi është mysafire e Teodo-s.
Më të dalluarit te vendasit ishin Aleksandar Todoroviç me 18 pikë e 10 kërcime dhe Ashton Moore e Tencho Tenchev me nga 15 pikë secili. Te mysafirët më efikasit ishin Marcel Jones dhe Tay Waller me nga 24 pikë, kurse Theron Bussey e ka përfunduar ndeshjen me 21 pikë. Pjesa tjetër e ekipit ka realizuar gjithsej 11 pikë, gjë që u ka kushtuar prizrenasve në fund me humbje.
Beroe-Bashkimi 90:80 (21:23, 26:20, 19:20, 24:17)
Palestra e Sportit, Stara Zagora.
Shikues: rreth 500.
Gjyqtarë: C. Stoica, E.Koci, A. Pavlov.
Beroe: Barnes 18, Nikolov, Moore 15, Vaklinov 5, Zhelev 3, Todoroviq 18, Gary 14, Tenchev 15, Galabov, Karamfilov, Radnev 2, Aleksiev.
Bashkimi: Jones 24, Bussey 21, Waller 24, Rugova 2, Hysenagolli 2, Tahiri, Shehu, Biraj, Balluku, Uzas 7.