Z Mobile Prishtina të mërkurën mbrëma ka regjistruar humbje në përballje me ekipin gjerman, s. Oliver Wurzburg me rezultat 91:78 në ndeshjen që është luajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në prani të rreth 2000 shikuesve.
Më efikasit te skuadra bardhekaltër ishin Kyan Anderson me 19 pikë, Mikaile Tmusic me 18 pikë, Muhammed Bashir Ahmed me 13 pikë dhe Edmond Azemi me 11 pikë.
Te skuadra gjermane më të dalluarit ishin Gabe Olaseni me 14 pikë, Skyler Bowlin me 14, Xavier Cooks me 12, Mike Morrison me 12 dhe Cameron Wells me 11 pikë.
Z Mobile Prishtina tani ka pesë pikë pas katër ndeshjeve. Ajo pozicionohet e treta në Grupin I.
I pari është Oliver Wuerzburg me tetë pikë, i ndjekur nga Pinar Karsiyaka me shtatë. Në fund është Szolnoki Olaj. Dy ekipet e para avancojnë në 1/8 e finales të FIBA Europe Cup.