Në fundjavë në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Shoqatës së Gjyqtarëve të FBK-së (SHGJFBK) është mbajtur Klinika për gjyqtarët dhe vëzhguesit e basketbollit, ku udhëheqës i saj ishte Drejtori i Departamentit për Gjyqtarë në FIBA Europe, Davorin Nakiç, i cili është ndarë shumë i kënaqur me organizimin, testet nga njohja e rregullave, testimet fizike si dhe me interesimin shumë të madh të gjyqtarëve, vëzhguesve, trajnerëve, të cilët ishin prezent për këtë Klinikë të hapur.
Gjatë këtyre dy ditëve është punuar në komunikimin, kriterin e gjykimit, mekanikën 3 gjyqtarë punë praktike.
“Ishin dy ditë shumë të frytshme për gjyqtarët dhe vëzhguesit e basketbollit, tek të cilët interesimi ishte i madh dhe kjo gjë na bën të lumtur ne si federatë. Kjo Klinikë shërbeu edhe si motivim për gjyqtarët para fillimit të edicionit të ri në të gjitha ligat. Davorin Nakiç u nda shumë i kënaqur me potencialin e pjesëmarrësve tanë në këtë Klinikë, të cilët ai i inkurajoj për të vazhduar me këtë ritëm të punës”, ka deklaruar Faton Kurshumlija, koordinator teknik i FBK-së.