Të dielën në Prishtinë ka filluar Kampi Nacional i të Rinjve U-15. Të pranishëm janë 60 fëmijë, prej tyre djem dhe vajza të lindur në vitin 2002 e më të rinj.
Kampi organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në mbështetje të FIBA-s dhe MKRS-së.
Ky Kamp organizohet në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, i cili mbështetet nga FIBA, ndërsa udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, derisa implementohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës, ajo e Maqedonisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.
Ky projekt është dyvjeçar, ndërsa ka filluar vitin e kaluar, ku deri më tani janë organizuar kampe nacionale nga federatat e lartpërmendura, pastaj kampe në shtetet pjesë e projektit, janë bërë vizita të trajnerëve në Turqi, janë organizuar turne në Stamboll, Shkup e Bukuresht, kurse të tjera aktivitete pritet të zhvillohen në muajt në vazhdim.
Kampi Nacional udhëhiqet nga trajneri amerikan, Chris Dial, i cili është koordinator i këtij projekti i emëruar nga FIBA Evropa. Ndërkaq atij janë duke i asistuar 12 trajnerë vendorë.
Duhet theksuar se nga ky Kamp do të bëhet përzgjedhja e 30 basketbollistëve dhe 6 trajnerëve, të cilët më pas do të udhëtojnë për në Botevgrad të Bullgarisë për të marr pjesë në Kampin Ndërkombëtar që organizohet në këtë vend prej 28 gusht deri më 2 shtator 2017.
Fëmijët dhe trajnerët janë të vendosur në Konviktin numër VII në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kurse stërvitjet po zhvillohen në palestrën “1 Tetori”.
Në ditën e parë të Kampit Nacional e pranishme ishte edhe u.d. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila së bashku me koordinatorin Chris Dial e bënë hapjen solemne të këtij kampi.
Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme, FBK:
“Për Federatën, zhvillimi i basketbollit ndër gjenerata të reja mbetet prioriteti kryesor. Këtë më së miri e dëshmon organizimi i kampeve të tilla, ku të përfshirë kemi djem dhe vajza të reja, të cilët në të ardhmen synojnë të bëhen basketbollist dhe basketbolliste cilësore. Në fakt pikërisht nga kampe të tilla edhe identifikohen talente dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të bëjmë investime në evente të tilla. Unë uroj që për këto ditë sa do të qëndroni së bashku, krahas asaj që do të mësoni nga trajnerët edhe do të shoqëroheni me njëri-tjetrin dhe do të krijoni atmosferë të mirë”.
Chris Dial, koordinator i Kampit:
“Unë jam shumë i lumtur që jam kthyer sërish në Kosovë dhe që sërish do të punoj me ju. Do të kemi rastin që për këto katër ditë të kënaqemi duke stërvitur dhe duke luajtur basketboll. Së bashku me trajnerët e tjerë ne do të bëjmë më të mirën për të ju mësuar disa elemente të rëndësishme dhe bazike të basketbollit, të cilat më pas ju do t’i përvetësoni nëpër klubet e juaja”.