Ka përfunduar Kampi i të Rinjve U-14 (djem dhe vajza) organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe në mbështetje të FIBA-s e FIBA Europe, MKRS-së dhe Raiffeisen Bank.
Kampi ka filluar më 1 dhe ka përfunduar më 5 gusht, ndërsa është zhvilluar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kurse stërvitjet janë mbajtur në palestrën “1 Tetori” dhe në palestrën e sportit të Fakultetit të Shkencave Sportive.
Në këtë Kamp kanë marr pjesë rreth 60 fëmijë nga të gjitha qytetet e Kosovës.
Kampi është udhëhequr nga koordinatori i gjeneratave të reja në FBK, trajneri amerikan, Chris Dial, ndërsa i kanë asistuar 10 trajnerë vendorë.
Tashmë nga ky Kamp do të bëhet përzgjedhja e 30 basketbollistëve/ve dhe 6 trajnerëve, të cilët do të udhëtojnë për në Bukuresht të Rumanisë për të marr pjesë në Kampin që organizohet në këtë vend prej 28 gusht deri më 2 shtator.
Duhet theksuar se FIBA dhe FIBA Europe edhe këtë vit e kanë mbështetur FBK-në dhe punën e saj me gjenerata të reja, duke e inkuadruar në një program edhe më të madh të Kampeve, kësaj radhe me grupmoshën U-14. Bëhet fjalë për Kampin që do të udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa partnerë të saj do të jenë Kosova, Maqedonia, Rumania dhe Bullgaria.