Me triumfin e Trepcës kundër Rahovecit (76:60) të martën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Therandë është kompletuar edhe “katërshja e madhe” e Kupës së Kosovës në basketboll.
Më parë ishin kualifikuar Peja, Bashkimi dhe Sigal Prishtina, ndërsa tani edhe Trepca.
“Final Four”-i i Kupës së Kosovës do të zhvillohet në datat 17-19 shkurt, ndërsa për vendin e mbajtjes së këtij eventi shumë shpejt pritet të vendos Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), pasi që konkursi për organizator është mbyllur vetëm pak ditë më parë. Pas kësaj do të dihen edhe ciftet gjysmëfinale të kësaj gare.
Në kuadër të turneut final të Kupës së Kosovës do të luhet edhe finalja në konkurrencën e femrave, ku Penza nga Peja do të përpiqet të mbrojë trofeun në përballje me Penti Prishtinën.
Ndërkaq fituese e Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar në konkurrencën e meshkujve është skuadra e Sigal Prishtinës.