Këto ditë në Prizren është shfaqur një grup personash të cilët me veprime jolegjitime po përpiqen që ta dezinformojnë opinionin sportdashës në Prizren lidhur me zhvillimet në Klubin Basketbollistik Bashkimi.
Pa dashur të spekulojmë mbi interesat dhe motivet e tyre, duhet të konstatojmë se në mënyrë tërësisht të paligjshme dhe pa gëzuar kurrfarë legjitimiteti këta persona pretendojnë të kenë organizuar Kuvendin e Klubit dhe të kenë zgjedhur organet e reja drejtuese të tij. Në këtë ‘kuvend’, të thirrur nga persona që nuk janë anëtarë të klubit (sipas statutit) e që nuk kanë qenë kontribuues në funksionimin e klubit për shumë vite (e disa madje kurrë!), që nuk kanë madje kurrfarë lidhje me të duke qenë përfaqësues të klubeve tjera sportive (!) e shkollave të basketbollit, nuk ka marrë pjesë Kryetari i KB Bashkimi, asnjë anëtar i Bordit të KB Bashkimi, asnjë zyrtar i komunës së Prizrenit dhe asnjë përfaqësues i Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Ne, përfaqësuesit legjitimë të Klubit Basketbollistik Bashkimi, duam të informojmë opinionin publik se puna në klubin tonë të zemrës është duke vijuar në rregull dhe se nuk ka pasur kurrfarë ndërrimi të organeve udhëheqëse të tij. Për më tepër, duhet t’i konfirmojmë deklaratat e dhëna nga Menaxheri i Klubit, z. Arlind Kaçaniku, lidhur me përgatitjet për vitin e ardhshëm, negociatat me disa sponsorë seriozë, si dhe për finalizimin e marrëveshjes me Komunën e Prizrenit për përkrahje më substanciale për klubin në të gjitha format, përfshirë edhe atë financiare. Kësisoj, duam të informojmë opinionin publik se KB Bashkimi është në vlugun e punës sa i përket përgatitjeve për stinorin e ardhshëm, por edhe për shprehjen tonë të interesimit për inkuadrim eventual në Ligën Ballkanike, duke u angazhuar maksimalisht për të krijuar parakushtet për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, nëse jo stinorin e radhës atëherë në stinorin 2015-2016.
Për më tepër, Bordi i KB Bashkimi, si strukturë e vetme legjitime e klubit e regjistruar pranë Federatës të Basketbollit të Kosovës dhe Drejtorisë Komunale për Sport dhe e përbërë nga njerëz të cilët pareshtur punojnë për avancimin e tij, ka paraparë organizimin e Kuvendit të Klubit gjatë vitit 2014, për të cilin do ta informojmë publikun paraprakisht.
Çfarëdo informacioni tjetër që mund të shërbehet nga burime që nuk janë të afërta me klubin përbën dezinformim keqdashës i opinionit publik në Prizren dhe Kosovë.
Në emër të Bordit të KB Bashkimi,
Kryetari i KB Bashkimi, Shaqir Totaj