Pas përfundimit të ndeshjeve të Dritares së Tretë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019", FIBA World e ka publikuar renditjen në të cilën Kosova zë vendin e 81-të.
Në renditjen e publikuar në dhjetor të vitit të kaluar Kosova ka qenë e 86-ta, ndërsa pavarësisht dy disfatave të pësuara në kuadër të Grupit C të Dritares së Tretë, ndaj Hungarisë dhe Polonisë, Përfaqësuesja jonë arriti që të avancojë për pesë pozita.
Duhet theksuar se pas përfundimit të garave në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019", Përfaqësuesja e Kosovës tashmë do t'i vazhdoj garat në raundin e dytë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.
Kosova në këto gara është pjesë e Grupit B në të cilin bëjnë pjesë edhe Maqedonia dhe Rumania.
Ndeshjen e parë, Përfaqësuesja jonë do ta luaj më 13 shtator si nikoqire kundër Maqedonisë, kurse me 29 nëntor është mysafire e Rumanisë, pastaj me 2 dhjetor gjithashtu do të luaj si mysafire, kësaj radhe ndaj Maqedonisë, si dhe me 24 shkurt 2019 e pret Rumaninë në shtëpi.
Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t'u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.