Sonte, në Komo të Italisë, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll zhvilloi ndeshjen e dytë miqësore kundër Universitetit Mississippi State, një prej ekipeve më të forta të NCAA 1. Në këtë ndeshje Kosova u mund në vazhdime nga kundërshtari i saj me rezultat 91:87 (77:77), ndërsa tregoi lojë të fortë në mbrojtje dhe kohezion dhe sulme të organizuara.
Në ndeshje sërish u aktivizuan njëmbëdhjeë nga trembëdhjetë lojtarët e paraqitur për lojë, ndërsa lojë më efikase treguan Doellman (22 pikë, 6 kërcime dhe 3 asistime) dhe Drilon Hajrizi me shifra të dyfishta në pikë dhe kërcime (15 pikë dhe 10 kërcime).
Inkurajues është kthimi në parket i Dardan Berishës, i cili u paraqit në lojë për vetëm 18 minuta me 7 pikë, 2 kërcime dhe 2 asistime. Fisnik Rugova pati 7 pikë dhe 7 kërcime, Yll Kacaniku 5 pikë dhe 7 kërcime, Alban Veseli me 8 pikë dhe 2 kërcime, ndërsa Gazmend Sinani 4 pikë dhe 4 kërcime.
Nesër, me fillim nga ora 18:30, Kosova do të ndeshet me Universitetin Missouri.