Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) sot ka organizuar konferencë për media, të fundit në prag të ndeshjes, Kosovë – Maqedoni që do të luhet të enjten më 13 shtator në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2021.
Në konferencë të pranishëm ishin Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomerovic dhe kapiteni, Dardan Berisha.
Granit Rugova, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës:
“Falenderoj mediat që e kanë ndarë kohën për të përcjell konferencën për media në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme për ne kundër Maqedonisë.
Unë do të shpalosi listën me emrat e 12 lojtarëve që do të paraqiten të enjten në parket e ata janë: Mirza Ahmetbasic, Erjon Kastrati, Dardan Berisha, Leonard Mekaj, Valon Bunjaku, Scott Bamforth, Rron Ukaj, Ergin Grosha, Lis Shoshi, Fisnik Rugova, Alban Veseli dhe Gëzim Morina.
Ftoj të gjithë adhuruesit e sportit që në numër sa më të madh të vijnë të enjten në palestër, sepse kemi nevojë për përkrahjen e të gjithëve. Po ashtu ‘Dardanët’ do të jenë të pranishëm për të na mbështetur, e që janë lojtari ynë i gjashtë në parket. Besoj shumë se atmosfera do të jetë shumë e mirë dhe se do të kënaqemi me basketboll cilësor”.
Damir Mulaomerovic, përzgjedhës i Kosovës:
“Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri te ndeshja kundër Maqedonisë. Unë personalisht si trajner jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij grupi. Ne kemi punuar shumë, skuadar e ka bërë një punë shumë të mirë, kemi stërvitur me intensitet të lartë. Ne e kemi ndryshuar paksa filozofinë e ekipit, dhe përfundimisht do të jemi gati për të enjten.
Maqedonia ka ekip shumë të mirë, ne e kemi kuptuar se së fundi e kanë angazhuar një lojtar amerikan, Richard Hendrix, por një gjë e tillë nuk i ndryshon planet tona. Lojtarët e kanë mirëpritur filozofinë time si trajner, ndërsa tani më mbetet vetëm të kërkoj nga tifozët që të vijnë në numër sa më të madh për të na përkrahur, sepse me të vërtetë këta lojtarë e meritojnë mbështetjen e të gjithëve".
Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës:
“Stërvitjet i kemi filluar më 22 gusht së bashku me ndihmëstrajnerët, ndërsa trajneri na është bashkuar më 29 gusht dhe së fundi na janë bashkuar edhe Erjoni dhe Scotti, e kjo ka bërë që të krijojmë një atmosferë shumë të mirë para ndeshjes së të enjtes.
Jemi përgatitur mjaft mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes, do të luajmë para publikut tonë dhe shpresojmë se palestra do të mbushet, sepse presim përkrahje shumë të madhe.
Jemi shumë të motivuar, Maqedoninë e kemi mposhtur vitin e kaluar, andaj mund ta mposhtim prapë para shikuesve tanë.
Trajneri i ri është me ne, është një freski për ekip, ka bërë një punë shumë të mirë me ne. E dimë se çfarë ka qenë kur ka luajtur basketboll, dhe eksperiencën e tij na e ka përcjell neve.
Maqedonia ka disa ndryshime në ekip, por ne jemi një ekip i ri dhe definitivisht jemi më të shpejtë dhe më të motivuar. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë me dy stile të ndryshme të lojës, por unë kam besim të madh tek të gjithë dhe jam shumë optimist për gjithë atë që do ta shfaqim në parket të enjten”.
Biletat për ndeshjen Kosovë – Maqedoni do të dalin në shitje të mërkurën dhe çmimi i tyre do të jetë 2 euro dhe 10 euro.