Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018.
Në një konferencë për media të organizuar sot në zyre të FBK-së të pranishëm ishin, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, përzgjedhësi i Kosova U18, Ibrahim Karabeg dhe basketbollisti i Kosova U18, Meriton Ismaili.
Dushku ka folur rreth përgatitjeve organizative të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, ndërsa Karabeg dhe Ismaili kanë folur për përgatitjet ekipore dhe synimet në këtë Kampionat.
Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme, FBK:
“Federata e Basketbollit të Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për FIBA U18 Kampionatin Evropian dhe tani vetëm presim arritjen e zyrtarëve të FIBA-s dhe ekipeve pjesëmarrëse. Të gjitha përgatitjet janë bërë në koordinim me FIBA-n, e cila deri më tani është shprehur shumë e kënaqur me angazhimin dhe punën e bërë nga FBK.
Të dielën në ora 18:45 do të bëhet hapja solemne e këtij eventi, ndërsa në ora 19:30, Kosova do të përballet me San Marinon, ku me këtë rast ftojmë të gjithë dashamirët e basketbollit të jenë në numër sa më të madh për të përkrahur djelmoshat tanë, në mënyrë që të fillojmë me këmbë të mbarë Kampionatin”.
Ibrahim Karabeg, përzgjedhës i Kosova U18:
“Përgatitjet për këtë Kampionat i kemi filluar para një muaji e gjysmë dhe gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe programit të paraparë. Atmosfera është shumë e mirë në skuadër, djemtë po e japin maksimumin, stafi teknik është duke e kryer detyrën me përpikëri dhe tani na mbetet vetëm që të hyjmë në parket dhe të tregojmë më të mirën për të nxjerr rezultat pozitiv. Unë jam optimist se Kosova do të triumfoj në këtë Kampionat dhe që nga viti 2019 do të luaj në një rang më të lartë, pra në Divizionin B”.
Meriton Ismaili, basketbollist i Kosova U18:
“Të gjithë basketbollistët jemi të kënaqur me punën që e kemi bërë deri më tani dhe shpresojmë se do të vazhdojmë me këtë ritëm edhe kur të fillon Kampionati.
Për ne pjesëmarrja në gara ndërkombëtare do të thotë shumë, sepse kështu edhe e rrisim nivelin e lojës tonë.
Ne premtojmë se do ta japim maksimumin në çdo ndeshje për të fituar dhe për t’u shpalluar kampion i Divizionit C. Për të realizuar këtë synim ne na duhet përkrahja e të gjithëve, andaj shpresoj se numri i shikuesve gjatë ndeshjeve të Kosovës të jetë i madh”.
Duhet theksuar se 9 shtete janë pjesëmarrëse të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë.
Në Grupin A bëjnë gara: Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta dhe Monako, kurse në grupin B janë: Qipro, San Marino, Kosova dhe Gjibraltari.