Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket pjesëmarrjes së Përfaqësueseve të Kosovës në dy grupmoshat, U-16 dhe U-20 në Kampionatet Evropiane përkatëse.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është mbështetësja kryesore e Përfaqësueseve të Kosovës për pjesëmarrje në Kampionatet Evropiane, atë në San Marino (U-16) dhe në Hungari (U-20).
Megjithatë në konferencën për media të organizuar nga FBK janë zbuluar edhe dy sponsorë të këtyre Përfaqësueseve. Bëhet fjalë për kompaninë e telekomunikimit, IPKO dhe bankën TEB.
Në konferencën për media të organizuar të premten në hotel “Swiss Diamond” në Prishtinë krerët e FBK-së së bashku me trajnerët dhe me sponsorët e kanë shprehur kënaqësinë e tyre që janë pjesë e nisjes së një ere të re të basketbollit kosovar, duke marr parasysh faktin se FBK në muajin mars të këtij viti është pranuar me të drejta të plota në FIBA.
Kosova U-16 në Kampionatin Evropian prej 6 deri më 11 korrik në San Marino do të garojë në Divizionin C, grupi B, ku bëjnë pjesë edhe Gjibraltari, Monako e Uellsi.
Kosova do të debutoj në gara zyrtare të FIBA-s në nivel të Përfaqësueseve në ditën e parë të Kampionatit Evropian U-16 në San Marino kundër Gjibraltarit.
Ndërkaq Kosova U-20 do të garoj në Kampionatin Evropian U-20, Divizioni B, Grupi B, së bashku me Gjeorgjinë, Portugalinë, Malin e Zi dhe Luksemburgun. Garat e këtij Divizioni do të zhvillohen prej 9 deri më 19 korrik 2015 në Szekesfehervar të Hungarisë. Kosova ndeshjen e parë do ta luaj me Portugalinë më 9 korrik.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Bellegu ka thënë se ndjehet i lumtur që Kosova për herë të parë në historinë e shtetit tonë është pjesë e garave ndërkombëtare. Ai është i bindur se Kosova do të ketë prezantim të mirë në garat e Kampionatit Evropian. “Është hera e parë dhe kam kënaqësinë që para jush të prezantojë dy përfaqësueset e Kosovës të cilat për herë të parë do të mbrojnë ngjyrat e Kosovës, dhe për herë të parë do ta përfaqësojnë shtetin tonë në një garë ndërkombëtare të FIBA-s. U-16 është skuadra që do të ketë ndeshjen e parë ndërkombëtare që luhet më 6 korrik në San Marino kundër Përfaqësues së Gjibraltarit dhe më këtë them se do të regjistrohet edhe një hap historik për basketbollin e Kosovës, e ne natyrisht se shpresojmë në një sukses sa më madh në të dyja garat”, ka deklaruar Belegu. Në vazhdim numri 1 i basketbollit kosovar ka shtuar se dy Përfaqësueset ka kohë që janë duke u përgatitur, dhe sipas tij skuadrat tona janë përgatitur intensivisht për këto evente të mëdha evropiane. Belegu është i bindur se të dyja Përfaqësueset tona do të kenë paraqitje të mira në Evropianet përkatëse.
Në anën tjetër përzgjedhësi i Kosovës U-20, Ilir Selmani ka theksuar se përgatitjet kanë shkuar mjaft mirë. Selmani beson se skuadra e tij do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme në Hungari.
“Përgatitjet kanë filluar përafërsisht tash e dy muaj dhe kanë shkuar sipas plan-programit të paraparë, kështu që nuk kemi asnjë problem që mund të evidentohet. Brenda këtij dy mujorshi kemi zhvilluar tri ndeshje kontrolluese, miqësore që na kanë shërbyer që të komponohemi sa më mirë dhe besoj se në Hungari do ta përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Selmani.
Ndërkohë përzgjedhësi i Kosovës U-16, amerikani Chris Dial beson se të përzgjedhurit e tij do të kenë paraqitje të mira në sfidat e para ndërkombëtare. Strategu amerikan ka thënë se ndjehet i lumtur që ai do të debutoj me Kosovën në një Kampionat Evopian.
“Ne sa herë gjuajmë në kosh, ne gjuajmë për të shënuar, andaj edhe në San Marino do të udhëtojmë për të luajtur mirë dhe për të shënuar fitore. Kjo është ajo që unë ua kam mësuar basketbollistëve të mi gjatë kësaj periudhe të përgatitjeve, pra që në çdo ndeshje të luajmë për fitore. Pjesëmarrja në këtë Kampionat për Kosovën do të thotë shumë dhe djemtë e mi janë të vetëdijshëm për këtë dhe për këtë arsye ata do ta bëjnë më të mirën në parket për të nxjerr rezultate sa më të mira”, ka deklaruar Dial për të shtuar: “Dua të falënderoj edhe sponsorët, sepse pa ndihmën e tyre një pjesë e përgatitjeve nuk do të ishte e mundur dhe një pjesë e punës së federatës do të shkonte pa u vrenjtur, kurse tani është momenti ta tregojmë atë që kemi punuar. Mbetet të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në ndeshjet e kampionatit”.
Më pas janë prezantuar edhe dy sponsorët e Përfaqësueseve U-16 dhe U-20. Kompania e telekomunikimit IPKO dhe banka TEB do të jenë sponsor të këtyre dy Përfaqësueseve të Kosovës.
Përfaqësuesi i IPKO-s, Alban Kastrati ka thënë se është i lumtur që IPKO e mbështetë në kontinuitet basketbollin e Kosovës. Ai ka shtuar se IPKO ka besuar në basketbollin e Kosovës, në klubet, në talentin e lojtarëve, andaj edhe do të vazhdojë të mbështesë këtë sport, sepse ai dhe kompania IPKO besojnë se këta djem do të përfaqësojnë në mënyrën më të mirë Kosovën në garat ndërkombëtare. "Tani po bëhet fjalë për prezantim të shtetit dhe kompania IPKO është krenare që është përkrah këtyre djemve të rinj, por edhe basketbollit kosovar në përgjithësi", ka pohuar Kastrati.
Edhe përfaqësuesi i bankës TEB, Ten Orcun Ozdemir ka premtuar se ky institucion do të vazhdojë të jetë në përkrahje të basketbollit të Kosovës. Ai ka thënë se TEB është sponsor i ligave të reja dhe se do të vazhdojë të mbështes të rinjtë edhe në dy vitet e ardhshme. “Ne si TEB jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm me FBK-në dhe për këtë arsye jemi zotuar se ky bashkëpunim do të zgjas edhe për vite të tjera. Sidoqoftë tani po bëhet fjalë për përfaqësim të shtetit të Kosovës për herë të parë nëpërmjet basketbollit në nivel zyrtar dhe ne urojmë që këta djem do të na gëzojnë me paraqitje të mira në garat e tyre”, ka deklaruar Ozdemir.
Në fund të dy përzgjedhësit e Përfaqësueseve të Kosovës, Chris Dial (U-16) dhe Ilir Selmani (U-20) i kanë publikuar listat e basketbollistëve që do të bartin fanellën e Kosovës në Kampionatet Evropiane përkatëse.
Lista e Përfaqësueses U-16:
Kreshnik Avdija, Almir Berisha, Edison Gashi, Dardan Kapiti, Atik Koshi, Etnik Peci, Dion Pllana, Erjon Qarkaxhija, Engjell Ramaj, Ylldrit Sahiti, Deniz Simnica dhe Andi Vrapçani.
Lista e Përfaqësueses U-20:
Musab Mala, Lori Kllokoqi, Leonard Mekaj, Ujkan Karanez, Eris Nushi, Agon Selmani, Blendi Kadushi, Mërgim Jakupi, Burim Zekiqi, Samir Zekiqi, Arian Mehmeti dhe Mirza Muriq.