Basketbollistët e Përfaqësueses U-16 e kanë përmbyllur fazën e grupeve në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi B që është duke u zhvilluar në San Marino pa asnjë humbje.
Kosova U-16 të mërkurën ka triumfuar kundër Uellsit me rezultat 74:35 (25:5, 23:2, 16:17, 10:11).
Deri para ndeshjes me Kosovën, Përfaqësuesja e Uellsit i pati regjistruar dy fitore radhazi, ndaj Monakos dhe Gjibraltarit, por që kësaj radhe djelmoshat tanë arritën t’ua ndalin hovin uellsianëve ndaj të cilëve luftuan për pozitën e parë në grup.
Djemtë tanë kanë startuar furishëm ndaj Uellsit dhe këtë më së miri e dëshmon rezultati në dy cerekët e parë, 25:5, 23:2, derisa në dy të fundit përzgjedhësi i Kosovës U-16, Chris Dial u ka dhënë rastin të gjithë lojtarëve që të paraqiten në parket në mënyrë që të gjithë t’i përjetojnë emocionet e këtij eventi shumë të rëndësishëm në nivel të grupmoshave të reja në FIBA.
Më të dalluarit në radhët e Kosovës U-16 kësaj radhe ishin Etnik Peci me 20 pikë, 6 kërcime e 2 asistime dhe Kreshnik Avdija me 14 pikë e 6 kërcime.
Pas ndeshjes trajneri amerikan, Chris Dial ka deklaruar: “Jam shumë i lumtur që e gjithë puna që e kemi bërë na është shpaguar me pozitën e parë në fazën e grupeve. Djemtë e kanë kryer punën e tyre shumë mirë, kanë luajtur fortë, e kanë dashur fitoren dhe cka është më e rëndësishmja e kanë dashur fanellën që po e bartin. Ata janë të vetëdijshëm se po luajnë në një garë të fortë dhe të rëndësishme dhe kjo i ka shtyrë të mobilizohen maksimalisht e këtë më së miri e tregojnë rezultatet tona në tri ndeshjet e para. Tani është radha e gjysmëfinales dhe pasi ta mësojmë se cili do të jetë kundërshtari ynë ne do të fillojmë të përgatitemi maksimalisht që me sukses ta kalojmë edhe këtë sfidë. Lehtë nuk do të jetë aspak, por ne do ta bëjmë më të mirën në parket dhe shpresoj se kështu rezultati pozitiv nuk do të mungoj”.
Ndërkaq basketbollisti i Kosovës U-16, Kreshnik Avdija pas ndeshjes ka theksuar: “Luajtëm mirë prej fillimit e deri në fund, por ne e dimë se mund të luajmë edhe më mirë. Edhe një herë dëshmuam se kemi ardhur në San Marino për të luajtur basketboll cilësor dhe jo vetëm sa për t’u paraqitur në parket. Por tani ne duam të qëndrojmë të qetë dhe të mendojmë për gjysmëfinalen e së premtes, ku premtojmë se do të luajmë mirë për ngjyrat e shtetit tonë. Dëshira jonë e madhe është të luajmë në finale, andaj do të mobilizohemi në mënyrë që të arrijmë ta realizojmë këtë synim”.
Kosova U-16 në gjysmëfinale do të ballafaqohet me vendin e dytë të Grupit A, Divizioni C.
Kundërshtari i radhës i Kosovës U-16 mund të jetë San Marino ose Malta, varësisht se kush pëson disfatë nga këto dy Përfaqësuese në takimin që do të zhvillohet sonte ndërmjet këtyre dy skuadrave me fillim nga ora 19:30.