Përfaqësuesja e Kosovës të premten mbrëma ka pësuar disfatë nga Polonia me rezultat 90:62 (20:12, 28:14, 26:19, 16:17) në ndeshjen e parë të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” të zhvilluar në qytetin Wloclawek.
Polakët kanë dominuar prej fillimit e deri në fund të takimit, duke mos i lejuar basketbollistët tanë që për asnjë çast të shpresojnë në ndonjë fitore eventuale.
Kjo është humbja e tretë radhazi e Kosovës në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, derisa ndeshjen e radhës Përfaqësuesja jonë do ta luaj të hënën në Klaipeda kundër Lituanisë. Kjo e fundit ka triumfuar sonte kundër Hungarisë me shifrat 80:75.
Në start të kualifikimeve evropiane Kosova u pati mposhtur në shtëpi të vet nga lituanët, kurse më pas si mysafire është mundur në Debrecen nga Hungaria, si dhe tani në Wloclawek nga Polonia.
Dritarja e Tretë e kualifikimeve evropiane do të zhvillohet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, ndërsa Kosova i pret në Prishtinë, së pari Hungarinë dhe më pas Poloninë.
Të bashkëngjitur e gjeni linkun e konferencës për media me deklaratat e përzgjedhësit të Kosovës, Brad Greenberg dhe kapitenit, Dardan Berisha:
https://www.youtube.com/watch?v=FcoAQVr_m9c&feature=youtu.be