Reprezentacioni i Kosovës ka pësuar humbjen e tretë nga katër ndeshje në Grupin B në Kampionatin Evropian U20, Divizioni B që po zhvillohet në Hungari.
Kosova u mposht nga Luksemburgu në një ndeshje ku qartazi u vërejtën shenjat e lodhjes nga tempoja prej katër ndeshjeve për pesë ditë në fazën e grupeve.
Pas fillimit të barabartë të ndeshjes në fund të çerekut të parë basketbollistët tanë patën një rënie që i mundësoi Luksemburgut ti përfundojë dhjetë minutat e parë më rezultat 20:13.
Loja e njëjtë dhe me shumë telashe në mbrojtje vazhdoi edhe në çerekun e dytë dhe pas njëzetë minutave Luksemburgu kishte epërsi 45:25.
Ekipi nga shteti më i vogël i Beneluksit tregoi se më shumë meritë është në pozitën e dytë në grup dhe hyn ndër tetë ekipet më të mira të këtij kampionati përkrah Malit të Zi që arriti katër fitore në katër ndeshje.
Kosova duke përfunduar e katërta në grup do të vazhdojë me gara pasnesër.
Në fazën e dytë Kosovës i barten pikët nga takimet me Portugalinë dhe me Gjeorgjinë dhe do të zhvillojë ndeshje me ekipet që kanë pozitat 3 dhe 4 në grupin A, në këtë rast Rumaninë dhe sipas të gjitha gjasave Austrinë.
Pas këtyre dy ndeshjeve Kosova do të zhvillojë edhe ndeshjen e fundit që do të përcaktojë plasmanin përfundimtar në këtë Evropian.