Ndeshja Kosovë – Hungari e luajtur të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ka filluar me një minutë heshtje në nder të Gazmend Sinanit të ndjerë.
Ndërkaq pak minuta para ndeshjes, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ia dorëzoi vëllait të Gazit, Blin Sinani, një fanellë me nënshkrime të lojtarëve dhe stafit të Përfaqësueses së Kosovës në fanellën e Gazmend Sinanit të ndjerë. Kosova luajti me 11 lojtarë, e la një ulëse të zbrazët në bankën e rezervistëve për Gazin.
Takimi ka përfunduar me rezultat 65:81 (19:29, 20:10, 13:18, 13:24).
Ndeshja ishte e barabartë në dy çerekët e parë, derisa në çerekun e tretë dhe të katërt Hungaria e arsyetoi epitetin e favoritit dhe kështu në fund ia doli të triumfoj kundër Kosovës.
Në Përfaqësuesen e Kosovës vërehej mungesa e Gazmend Sinanit, Granit Rugovës, Fisnik Rugovës dhe Altin Morinës, të cilët ditë më parë kanë përjetuar aksident në trafik, në të cilin e ka humbur jetën Gazmend Sinani kishte humbur jetën në këtë aksident.
Për Kosovën më të mirët ishin Dardan Berisha me 17 pikë dhe Ejron Kastrati me 14 pikë, derisa Mikaile Tmusic ka debutuar për Përfaqësuesen tonë me 15 pikë, prej tyre 5 trepikësha, si dhe me lojë të mirë është shquar 18 vjeçari Dardan Kapiti, i cili gjithashtu debuoti me Kosovën duke realizuar 8 pikë, 5 kërcime e 2 bllokada.
Te Hungaria me lojë të mirë janë shquar David Vojvoda me 17 pikë dhe Darrin Govens me 13 sosh.
Deklaruan pas ndeshjes:
Brad Greenbeg, përzgjedhës i Kosovës:
“Jam shumë i lumtur me performancën e ekipin tonë. Lojtarët luajtën me kurajo, me energji të pashoq. Kosova tregoi karakter pas tragjedisë që ndodhi ditën e shtunë. Dy lojtarë të rinj erdhën në shprehje, Kapiti i cili dëshmoi kapacitetet e tij, dhe Tmusic që erdhi vetëm mbrëmë për t’iu bashkuar Kombëtares tonë. E di që secili lojtarë në mendjen dhe zemrën e tyre kishin Gazin, ndërsa që unë ndihem krenar me djemtë tanë; ishte ndeshje shumë e mirë”.
Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësuesës së Kosovës:
“Momente tepër të vështira për neve. Nuk ishim për basketboll. S’kemi ushtru hiç sepse ka qenë situatë ekstreme per ne. Ka qenë vështirë mu ballafaqu me këtë situatë. Këtë ndeshje ia dedikojmë Gazit, lojtarëve të lënduar dhe fizioterapeutit. Kishim motiv të madh për këtë ndeshje edhe pse ju thashë bashkëlojtarëve që Hungaria ka përvojën por ne kemi zemrën në këto momente. Kosova ka brumë për të ardhmen dhe do të ketë basketboll në Kosovë. Falemnderit që keni qenë me neve. Më vjen keq që e them mirëpo është humbja më e ëmbël që e kam përjetuar”.