Kombëtarja e Kosovës të martën në ora 07:00 do të niset për në Vilnius të Lituanisë, kurse të mërkurën me fillim nga ora 18:00 kundër Ukrainës në terren neutral do ta zhvilloj ndeshjen e pestë kualifikuese për Eurobasket 2017. Në ndeshjen e parë të zhvilluar dhjetë ditë më parë në “Minatori” të Mitrovicës ukrainasit patën triumfuar me rezultat 70:63.
Duhet theksuar se pas ndeshjes me Ukrainën, Kosova të shtunën në Mitrovicë kundër Bullgarisë do ta përmbyll fazën e kualifikimeve për Kampionatin Evropian, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Rumani, Finlandë, Izrael dhe Turqi.
Lidere e Grupit E në këtë fazë të kualifikimeve është Sllovenia me 4 ndeshje e po aq fitore, kurse më pas renditen Ukraina me bilanc prej 3 fitore e 1 humbje, Bullgaria me 1 fitore e 3 humbje dhe Kosova me 4 humbje.
Kualifikimin në Eurobasket 2017 e sigurojnë edhe katër vendet e dyta (prej shtatë), kurse pesë vende të treta (prej shtatë) shkojnë në kualifikime për Kampionat Botëror.