Përfaqësuesja e Kosovës U-16 ka pësuar disfatë në finalen e madhe të Kampionatit Evropian, Divizioni C nga nikoqiri, San Marino me rezultat 76:59.
Vendasit e nisën furishëm takimin dhe sikur i zunë në befasi basketbollistët tanë të cilët në dy cerekët e parë nuk arritën assesi ta gjenin ritmin e tyre të lojës. Në fillim të pjesës së dytë Kosova arriti ta ngushtoj diferencën disa herë, por kjo ishte e tëra që mund të bënin pasi në cerekun e katërt San Marino sërish e ka marr lojën nën kontroll dhe kështu në fund me meritë ka arritur deri te fitorja.
Më efikasit te Kosova ishin Etnik Peci me 19 pikë dhe Atik Koshi me 9 sosh.
Pas ndeshjes kapiteni i Përfaqësueses sonë, Dion Pllana ka deklaruar: "Nga dëshira e madhe për fitore bëmë gabime që në start të cilat na kushtuan shumë në vazhdim të ndeshjes. Edhe pse në pjesën e dytë rikuperuam në rezultat sërish nuk ia dolëm ta mbajmë deri në fund këtë ritëm. San Marino ishte kundërshtar shumë i fortë dhe me meritë ka fituar. Ne na mbetet të vazhdojmë të punojmë sepse tani jemi edhe më të motivuar duke marr parasysh faktin se kjo është hera e parë që jemi paraqitur në një Kampionat Evropian".
Në fund është shpallur edhe pesëshja më e mirë e Evropianit në të cilën zuri vend Etnik Peci, i cili gjithashtu është shpallur edhe MVP i Kampionatit.