Përfaqësuesja U-18 (femrat) do të jetë e para që do të debutoj në gara të FIBA-s në konkurrencën e femrave.
Kosova U-18 prej 8 deri më 13 korrik do të marr pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi B në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Basketbollistet kosovare janë në grup me nikoqirin, Gjeorgjinë, Maltën dhe Gjibraltarin.
Përzgjedhësi i Kosovës U-18, Chris Dial së bashku me ndihmësen e tij, Kimete Halitin ka më shumë se një muaj që kanë filluar me grumbullimin e vajzave dhe tani janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve.
Chris Dial, përzgjedhës i Kosovës U-18:
“Vajzat kanë punuar mirë dhe me intensitet të lartë, ku shumica prej tyre edhe nuk janë mësuar në këtë ritëm. Megjithatë ato janë duke bërë një punë të mirë për çka ne trajnerët i përgëzojmë. Të dielën do të kemi rast të luajmë ndeshje miqësore me Maqedoninë dhe aty do të shohim se si mund t’ia dalim me skuadra të forta siç është ekipi kombëtar i Maqedonisë. Për ne është e rëndësishmë që të luajmë bashkë dhe të tregojmë se dimë të luajmë mbrojtje të fortë dhe sulm të mençur. Të njëjtën gjë synojmë ta bëjmë edhe në Kampionatin Evropian. Për vajza do të jetë një emocion i madh pasi që kjo është hera e parë që Kosova prezantohet në basketbollin femëror në gara të FIBA-s. Megjithatë unë besoj se do të arrijmë t’i menaxhojmë emocionet dhe do të hyjmë në ndeshje për të fituar. Ne si ekip kemi mentalitet fituesi, andaj hyjmë në çdo ndeshje për të luajtur mirë dhe në fund për të nxjerr rezultat pozitiv. Kundërshtarët tanë po ashtu janë shumë të fortë, por ne besojmë në forcën e skuadrës tonë”.
Duhet theksuar se pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U-18 janë dy lojtare nga jashtë vendi, Adea Kastrati nga Suedia dhe Flaka Kelmendi nga Norvegjia, të cilat kanë vendosur t’i mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës. Bëhet fjalë për dy lojtare mjaft cilësore, të cilat së bashku me pjesën tjetër të ekipit synojnë të lënë gjurmë që në debutim të garave të FIBA-s.
Kampionati Evropian, Divizioni C/Grupi B
1. Gjeorgjia
2. Malta
3. Gjibraltari
4. Kosova