Të premten krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë pritur në një takim drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK).
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin mes FBK-së dhe SHGSK-së. Të dy palët janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit, dhe si ky bashkëpunim mund të thellohet edhe më shumë.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka folur për rëndësinë që kanë gazetarët e sportit në basketboll dhe është shprehur i gatshëm t’i ndihmojë në forma të ndryshme, siç janë seminaret e ndryshme, derisa Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se Federata e Basketbollit e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë tyre në nevojat që kanë, si në përcjelljen e ngjarjeve vendore e po ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Kryetari i SHGSK-së, Edmond Thaqi është shprehur i lumtur me realizimin e këtij takimi, kurse shtoi se, shpreson që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej. Ai theksoi se Shoqata ka shumë plane dhe organizime për të ardhmen dhe beson që FBK-ja do të japë ndihmën e saj.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i SHGSK-së, Artan Muhaxhiri dhe nënkryetari i Bordit, Jon Ajeti, kanë shtuar se po mundohen që të faktorizojnë Shoqatën dhe tu japin rëndësi edhe gazetarëve të rinj, derisa SHGSK-ja është shembull, pasi ka dy femra, njëra nënkryetare dhe tjetra anëtare e Bordit.
Të dy palët kanë folur edhe për udhëtimin e gazetarëve të Kosovës me Kombëtaren kur zhvillohen ndeshjet si mysafirë dhe kishte optimizëm nga dy palët për arritjen e marrëveshjes.
Gjithashtu në parim është arritur marrëveshja për Memorandumin e Bashkëpunimit mes FBK-së dhe SHGSK-së, që pritet të nënshkruhet shumë shpejtë.