Liga Ballkanike (BIBL) do të ketë kampionin e ri. Pas ndeshjeve të së martës mbrëma në Grupin A është e qartë se Sigal Prishtina nuk do ta mbroj titullin e fituar në dy edicionet e fundit.
Kozuv-i ka triumfuar në Gjevgjeli ndaj bardhekaltërve me rezultat 73:65 (23:14, 20:10, 13:25, 17:16) dhe për maqedonasit kjo ishte fitorja e katërt radhazi, me c'rast e kanë siguruar një vend për në fazën e dytë të Ligës Ballkanike. Ekipi nga Gjevgjelia ka bilanc prej 5 fitore e 5 humbje dhe e përmbylli fazën e parë në pozitën e katërt në grup. Kozuv-i ka bilanc të njëjtë me Teodo-n, por ka humbur në Tivat me 6 pikë dhe ka fituar me vetëm 5 pikë epërsi në shtëpi të vet, andaj skuadra malazeze është në avantazh ndaj asaj maqedonase.
Në anën tjetër Sigal Prishtina e ka përfunduar edicionin e rregullt në BIBL me vetëm 3 fitore e 7 humbje, duke u renditur kështu në pozitën e fundit në grup. Kjo do të thotë se kampionët nuk janë kualifikuar për fazën e dytë dhe kështu nuk do të kenë mundësinë ta mbrojnë titullin e fituar për dy vjet rresht.
Milivoje Mijoviq me 26 pikë e 13 kërcime, Kenyon McNeail me 13 pikë e 4 asistime dhe Bojan Krstevski me 12 pikë ishin më të dalluarit te Kozuv-i, kurse te Sigal Prishtina më efikasit ishin Nenad Deliq dhe Drilon Hajrizi me nga 16 pikë secili.